Nga Mira Tuci 08.03.2017 13:25
Festimi i Ditës së Gruas, çfarë ka ndryshuar dhe sa shumë mbetet ende për t’u bërë? Në një botë të drejtuar nga burrat, asnjë e drejtë nuk duhet marrë e mirëqenë, ndaj edukimi duhet të nisë me gratë që kanë ndikuar kaq shumë, sa kanë ndryshuar rrjedha historike dhe botën.
Ndiqni vëzhgimin e gazetares së Radio-Televizionit Shqiptar, Mira Tuci, vëzhgim të cilin AlbanianSport.com jua sjell këtu, edhe si homazh për 8 marsin, por edhe duke qenë e vetmja faqe sportive shqiptare, 45 % e lexuesve të së cilës janë femra dhe që mbulon çdo sport të femrave në Shqipëri, Kosovë e kudo ku flitet shqip.
100 vite më parë një grup grash kurajoze në Petrograd më 8 mars 1917 guxuan të mos bindeshin duke sanksionuar atë që sot ne e quajmë festë por që në fakt ka lindur si protestë. Por sa dhe si gjendja e gruas ka ndryshuar? Ende ka gra që luftojnë në të gjitha anët e globit për jetën, për të drejtat e tyre për të afirmuar dhe mbajtur pozicionin e tyre në shoqëri.
Janë me dhjetëra gratë që kanë arritur në majat e shkencës, aktivizmit shoqëror, letërsisë dhe arteve edhe në fusha të konsideruara edhe sot “domeini” i burrave si politika. Përkundër modeleve mediatike me të cilat “showbiz”-i na stërngop gruaja nuk është vetëm një trup objekt seksual, por edhe një mendje e bukur dhe një univers ndjesish.
Akademia “Nobel” në këtë ditë të shënuar ka dashur përmes një videoje të kujtojë se cilat janë gratë që kanë ndryshuar botën. Mes tyre shkrimtarë, nga Elis Munro, Symborskaja apo Jelinek, tek emra si shqiptarja Nënë Tereza. Ndonëse në vende arabe ato vriten ende me gurë nëse nuk binden, në Europë diskriminimi mund të vijë ndryshe.
Flagrant ishte diskutimi i para pak ditëve më parë kur pikërisht në parlamentin evropian, një eurodeputet polak nga foltoja e demokracisë dhe barazisë gjinore bënte thirrje për të kundërtën duke deklaruar se gratë duhen paguar më pak se janë më të dobëta, më të vogla dhe më pak inteligjente… derisa mori përgjigjen e merituar nga një eurodeputete spanjolle.
Pra, gratë në të gjithë botën duhen të përpiqen çdo ditë për të konfirmuar, mbrojtur dhe përmirësuar botën përreth tyre. Dhe të drejtat e fituara janë gjithnjë delikate dhe jo të mirëqena në një botë drejtuar nga burrat. E tingëllon e bukur edhe pse pak shumë pak p.sh se si një gazetë e njohur në Skoci me titullin “Scotsman” (Skocezi) çdo 8 mars e ndryshon emrin duke e shndërruar në “Scotswoman” (Skocezja).
Edukimi i botës së lindur nga gratë dhe drejtuar nga burrat duhet bërë çdo ditë që 8 marsi të mos tingëllojë thjesht një festë në kalendar.