AlbanianSport.com 29/06/2020 19:25
ASNN – Zëvendëstrajneri pohon vështirësitë për fitoren ndaj Bylisit, por synon rezultat pozitiv edhe me Tiranën. Kukësi ka vuajtur për të marrë një fitore minimale të shtunën në Stadiumin “Elbasan Arena” përballë Bylisit, por, përtej vështirësisë në arritjen e rezultatit, ndihmëstrajneri Rrahman Hallaçi vlerëson 3 pikët e marra
“Në pjesën e parë ishim më lart se Bylisi, ndërsa në të dytën ritmi i lojës sonë ra, – pohoi ai. – Kjo është e kuptueshme, duke patur parasysh që, për shkak të kalendarit të ngjeshur, po luajmë më shpesh, me më pak ditë pushimi. Për më tepër, luajtëm në një orar jo dhe aq të përshtatshëm dhe në temperatura të larta.”
“Por e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Bylisin, ndaj nuk e shikoj si justifikim, – ka vijuar ish-futbollisti i verilindorëve. – Por, mendoj se ne e merituam fitoren. Në pjesën e parë ndërtuam disa raste të tjera për shënim, përveç golit të shënuar me 11-metërsh, ishin 3-4 raste që po të kishim shënuar një gol tjetër, do të ishte krejt ndryshe.”
Edhe pse verilindorët janë plot 9 pikë prapa Tiranës kryesuese në betejën për titull, në lidhjen direkte në Rubrikën Sportive në RTSH, nr. 2 i stolit të Kukësit ka deklaruar se nuk pranon të dorëzohet. “Mendoj se tanimë nuk duhet të kthehemi prapa, sepse Tirana pikët i ka marrë me meritë”, – ka pohuar ai.
“Por ne besojmë deri në fund për kampionatin, – ka vijuar ish-kapiteni i Kukësit, Rrahman Hallaçi. – Sigurisht që është shumë e vështirë, por ne do të besojmë për sa kohë na e lejon matematika. Shpresojmë të arrijmë një fitore me Tiranën e më pas do të shohim se çfarë do të ndodhë.”
Sfida e radhës për Kukësin është përballja e drejtpërdrejtë me Tiranën në kryeqytet në mbrëmjen e 6 qershorit 2020.