AlbanianSport.com 03/11/2021 19:25
ASNN – Presidenti i KF Tiranës, Refik Halili, falënderoi të gjitha ata që kanë punuar për rikonstruksionin e fushave të Kompleksti Sportiv “Skënder Halili” dhe shprehu dëshirën që akademia të vazhdojë të prodhojë sa më shumë elementë të vlefshëm të cilët mund të luajnë me klube më të mëdha të Evropës në të ardhmen. “President, ju falënderoj për gjithçka keni bërë për futbollin dhe për ne, – ka thënë ai duke iu drejtuar kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka. – Falënderoj të gjithë ata që kanë punuar në këto mjedise gjatë gjithë kësaj kohe.”
“Falënderoj shumë gjithashtu trajnerët e akademisë, stafin e akademisë e në veçanti Drejtorin e Akademisë, Devi Muka, – ka vijuar kreu i klubit bardheblu. – Ju premtoj juve dhe tifozëve të Tiranës që ne do të ecim para dhe shpresojmë që të prodhojmë sa më shumë elementë, të cilët do të mund të luajnë nëpër klube evropiane siç kemi bërë deri më tani, pa kërkuar madje shpërblime shumë të mëdha vetëm që futbollistët të kenë një shans të mirë. Shpresoj që në këto mjedise ne të kemi sa më shumë futbollistë.”
“Unë ju kam bërë një kërkesë që në të ardhmen të mund të ndërtojmë edhe dy fusha të tjera në kuadër të projektit të 100 fushave. Shpresojmë që të bëjmë gjithçka gati e të trokasim tek ju për ta vazhduar bashkëpunimin më tej”,- përfundoi presidenti i klubit bardheblu, Refik Halili. Një mesazh për të gjitha vajzat që duan të luajnë futboll dha edhe kapitenia e skuadrës së Tiranës për femra, Daniela Kodra. “Kam qenë dëshmitare e ndryshimit që ka ndodhur me futbollin e femrave”, – ka thënë ajo, duke folur në ceremoninë e përurimit.
“Dua t’ju falënderoj për ndihmën dhe përkrahjen që i jepni futbollit të femrave, duke filluar që nga projekti “Grow” e duke vazhduar edhe më tej me atë “Playmaker”, – ka vijuar futbollistja e bardhebluve të kryeqytetit. – Do të doja shumë që çdo vajzë e cila është e aftë dhe e ndjen veten të gatshme të jetë pjesë e lojës, të mos e ketë më tabu, por që ta vazhdojë këtë ëndërr ashtu si çdo vajzë që ka ëndrrat e veta.”