AlbanianSport.com 02.02.2017 17:05
ASNN – Radio-Televizionin Shqiptar ka nënshkruar sot një kontratë 3-vjeçare me Federatën Shqiptare të Volejbollit, për transmetimin e të gjitha ndeshjeve të këtij sporti që do të luhen në vend apo dhe në arenën ndërkombëtare.
Kontrata u nënshkrua sot në mjediset e transmetuesit publik nga Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Thoma Gëllçi, dhe Presidenti i FSHV-së, Erli Pëllumbi. Gëllçi e ka quajtur një vlerë të shtuar për të gjithë teleshikuesit, transmetimin e ndeshjeve të volejbollit në kanalet e RTSH-së.
Ndërsa kreu i volejbollit shqiptar Pëllumbi ka bërë të ditur se gjatë këtij viti Federata Shqiptare e Volejbollit ka marrë përsipër të bëjë disa veprimtari të rëndësishme, kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat do të kenë fatin të transmetohen drejtpërdrejt në Rrjetin e RTSH-së.