AlbanianSport.com 04/03/2021 22:35
ASNN – Halim Selmanaj ishte lojtari i ndeshjes për kuqezinjtë, pasi realizoi dy nga 3 golat e Shqipërisë në fitoren 3-2 ndaj Danimarkës në sfidën e luajtur të enjten pasdreke në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” të Parkut Olimpik të Tiranës. Goli i epërsisë, ai i pari, ishte një kryevepër e vërtetë pas një aksioni individual. Duke folur pas triumfit të parë të kuqezinjve në fazën e dytë të Eliminatoreve të Kampionatit Evropian të 2022-shit, futbollisti shqiptar shprehet se suksesi ishte i merituar, teksa është ndierë shumë i lumtur arriti të gjente rrugën e rrjetës ndaj danezëve.
“Ishte një fitore e merituar, mendoj se e gjithë skuadra bëri një paraqitje shumë të mirë. Është ndjesi shumë e bukur të përfaqësosh Shqipërinë, sidomos këtu në Tiranë, ka deklaruar ai. – Mendoj se edhe ndeshjen e djeshme e humbëm thjeshtë nga dëshira e madhe për të fituar, por ishte një test dhe një mundësi, që ne të ulnim kokën dhe të punojmë edhe më shumë. Besoj shumë te ky grup lojtarësh dhe tek e ardhmja e këtij ekipi dhe besoj se do të bëjmë edhe më mirë në ndeshjet e ardhshme. Është një grup edhe më i vështirë nga sa e kishim menduar.
“Por duke punuar fort shpresojmë të dalim sa më mirë, – ka vijuar Selmanaj. – Jam shumë i kënaqur për golat e realizuar sot, por edhe me grupin. Gjithmonë është kënaqësi e veçantë kur shënon me Shqipërinë, besoj se do të vazhdoj përsëri të shënoj e ta ndihmoj skuadrën.” Në fakt, ka qenë një ndeshje shumë e luftuar nga të dyja skuadrat, me një pjesë të parë që foli vetëm shqip, me disa raste shumë të mira për t’u shënuar, dy prej të cilave u kthyen në gol. Selmanaj përfiton nga një top i dhënë bukur nga Halimi, duke e shndërruar në gol.
Ai e ka kaluar në epërsi Kombëtares që në minutën e 10-të të takimit, ndërsa dy minuta më vonë, është vetë Halimi i cili dyfishon rezultatin, duke i dërguar shifrat 0-2 në favor të kuqezinjve. Në pjesën e dytë të ndeshjes, në minutën e 29-të, Selmanaj shkund sërish rrjetën e danezëve, duke trefishuar rezultatin për Shqipërinë. Në minutën e 33-të, danezët shkurtuan rezultatin me Falk, ndërsa 7 minuta më vonë është Hansen ai i cili dyfishon shifrat për Danimarkën, por pa ndryshuar fatin e lojës, pasi kuqezinjtë korrin fitoren e parë.