AlbanianSport.com 30/01/2021 23:55
ASNN – Trajneri i Kombëtares kuqezi të futbollit të sallës analizon grupin e Shqipërisë. Është mundur 1-4 në takimin e saj të parë përballë Kroacisë vendase para pak ditësh në grupin e saj në fazën e dytë dhe të fundit të Eliminatoreve të Evropianit të 2022-shit, por trajneri i Shqipërisë e futbollit të sallës, Erind Resuli, pa shenja të mira nga ajo ndeshje.
Sfida e dytë është ajo e së dielës me Ukrainën në Tiranë, por trajneri kuqezi nuk ushqen iluzione për kundërshtarët që ka në grup dhe e ka të qartë synimin. “Ukraina dhe Kroaci janë skuadra shumë të forta dhe janë në elitën e vendeve më të mira evropiane në futbollin e sallës, – thekson trajneri kuqezi. – E kam thënë qysh në fillim këtë gjë dhe ne sigurisht do të mundohemi t’u përgjigjemi duke dhënë maksimumin.”
“Por objektivi ynë në këtë grup është Danimarka, që është skuadër e nivelit tonë dhe nëse parakalojmë danezët e kemi arritur një pjesë të misionit tonë”, – shton Resuli, i cili vazhdon të vuajë mungesat për këto dy takimet e para. “Kemi probleme në organikë, pasi 4 nga lojtarët kryesorë të formacionit na mungojnë”, – thotë ai për AlbanianSport.com.
Përtej rezultateve që Shqipëria do të arrijë në këtë grup, për trajnerin e futbollit të sallës, pjesëmarrja në këtë fazë është në vetvete një mision i përmbushur. “Nëse do të kalojmë këtë fazë do të kualifikohemi në 16-she, pra në finalet e Kampionatit Evropian, – thotë Resuli. – Mendoj se është një objektiv që ne na shkon, pastaj se çfarë mund të na sjellë fusha, këtë nuk e dimë kurrë.”
“Ne e kemi përmbushur misionin deri në atë pikë që na është kërkuar, tani kemi arritur në një nivel shumë të lartë konkurrence dhe do të përpiqemi të marrim maksimumin”, – përfundon trajneri i Kombëtares kuqezi të futbollit të sallës. Ashtu si përballja e parë para pak ditësh në Kroaci, edhe ndeshja e radhës me ukrainasit në Tiranë do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.