AlbanianSport.com 04/03/2021 21:15
ASMM – Ka përfunduar me rezultatin 2-3, në favor të kuqezinjve ndeshja e vlefshme për fazën e dytë të Eliminatoreve të Kampionatit Evropian të 2022-shit të Futbollit të sallës mes Shqipërisë dhe Danimarkës, që u luajt të enjten në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” të Parkut Olimpik të Tiranës. Ka qenë një ndeshje shumë e luftuar nga të dyja skuadrat, me një pjesë të parë që foli vetëm shqip, me disa raste shumë të mira për t’u shënuar, dy prej të cilave u kthyen në gol.
Roald Halimi dhe Halim Selmanaj ishin protagonistë absolutë të Kombëtares shqiptare ndaj danezëve dhe falë golave të tyre Shqipëria e futbollit të sallës arriti të marrë 3 pikë me vlera në turneun më të rëndësishëm kontinental. Duke folur pas ndeshjes, kapiteni Roald Halimaj shprehet mjaft i lumtur për këtë sukses dhe ka besim se kjo fitore do t’i motivojë kuqezinjtë e futbollit të vogël, që të bëjnë paraqitje edhe më të mira në të ardhmen.
Përveç golit të shënuar Halimi u shfaq një lider në fushë, duke udhëhequr manovrën e skuadrës në çdo moment dhe duke sakrifikuar deri në fund. “I analizuam bashkë me trajnerin gabimet që bëmë në ndeshjen e parë ndaj Danimarkës dhe u përpoqëm t’i korrigjonim ato, – ka deklaruar ai. – Në pjesën e parë thuajse nuk u dhamë asnjë shans danezëve dhe jam shumë krenar me të gjithë djemtë për paraqitjen që bëmë sot. Ua thashë në fund të pjesës së parë: Ky është ekipi i Shqipërisë që njoh unë!”
“E ardhmja duket e bukur, janë disa djem të rinj që e kanë të ardhmen mjaft të mirë, – ka vijuar Halimi. – Ne lojtarët që jemi më veteranë në ekip duhet t’i ndihmojmë më shumë. Kemi bërë hapa përpara e për këtë arsye më djeg ajo humbje e parë me Danimarkën. Ne jemi gati të përballemi si të barabartë me ekipe si Kroacia dhe Ukraina, nuk besoj se kemi asgjë më pak se ata. Dihet që është koha të kemi prurje të reja, më të rinj në moshë, duhet një rifreskim i ekipit.”
Kështu, Shqipëria merr fitoren e parë në këto eliminatore, përballë Danimarkës, ekip me të cilin u përball vetëm një natë më parë, më 3 mars 2021, po në Tiranë. Ndeshja e kthimit u luajt në Shqipëri, pas vendimit të marrë në konsultat e vazhdueshme me UEFA-n, Federatën Daneze të Futbollit dhe Federatën Shqiptare të Futbollit, për shkak të masave kufizuese të përcaktuara nga autoritetet shtetërore daneze për parandalimin e përhapjes së “Covid-19”, si edhe karantinës së detyruar për të gjithë personat që hyjnë në Danimarkë.