AlbanianSport.com 23/07/2022 18:40
ASNN – Shefi i Departamentit të Futbollit Amator në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), Jurgen Demneri, ka folur edhe për kampionatin e futbollit të sallës, që u rikthye sezonin e kaluar pas ndërprerjes së detyruar nga epidemia e “Covid-19”-ës e që në këtë edicion të ri, do të ketë më shumë ekipe pjesëmarrëse. Sakaq, Demneri shpjegon edhe mënyrat se si të interesuarit mund të regjistrohen në kampionatet e futbollit amator të organizuar nga FSHF.“Më datë 23 gusht për të dytin vit radhazi FSHF ka marrë përsipër mikpritjen dhe organizimin e ndeshjeve të Grupit G në fazën para-eliminatore të Ligës së Kampioneve në futbollin e sallës, – ka sqaruar ai. – Në këtë grup merr pjesë edhe kampionia e Shqipërisë, Tirana. Edhe për kampionatin e futsallës do të nisin shumë shpejt regjistrimet dhe aty patjetër që kemi pritshmëri të mëdha, që të rrisim numrin e lojtarëve që luajnë futbollin e sallës.”
“Sepse është një disiplinë pak më ndryshe se 9×9 apo 5×5, por që kemi një dëshirë shumë të madhe që të rrisim numrin e ekipeve pjesëmarrëse në kampionat, pasi kemi parë një interes të madh nga lojtarët për t’u bërë pjesë e futbollit të sallës, – ka theksuar Demneri. – Dhe ne patjetër që do të përpiqemi ta masivizojmë sa më shumë. Përveçse synojmë të rrisim numrin e ekipeve, ne duam edhe të rrisim cilësinë e kampionatit.”
“Sepse kërkesa për të shtuar numrin e ekipeve janë të shumta, por do të mundohem të jemi sa më të kujdesshëm në pjesën e përzgjedhjes, për të patur një nivel sa më të mirë dhe një lojë të ndershme (fair-play), – ka vijuar zyrtari i FSHF-së. – E rëndësishme është që pjesëmarrësit në këtë kampionat të mund të argëtohen sa më shumë. Është shumë e thjeshtë të regjistrohesh në kampionatet e futbollit amator të FSHF-së.”
“Mjafton të hysh në faqen zyrtare në internet të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe aty mund të gjesh mënyrat e kontaktit dhe me një e-mail të thjeshtë ju mund të merrni përgjigje për çdo pyetje apo kërkesë për informacion si mund të regjistrohen në këto kampionate”, – përfundoi Shefi i Departamentit të Futbollit Amator në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), Jurgen Demneri.