AlbanianSport.com 03/04/2022 18:40
ASNN – Pas miqësores së zhvilluar ditën e shtunë ndaj Tiranës, Kombëtarja e Nën-19-vjeçareve në futboll për femra ka vijuar edhe ditën e hënë me përgatitjet për ndeshjet eliminatore të fazës së dytë, që do të zhvillohen në Turqi, të vlefshme për Kampionatin Evropian 2022 të kësaj grupmoshe. Ekipi i vajzave kuqezi, i drejtuar nga trajneri Kreshnik Krepi ka nisur që nga dita e hënë grumbullimin, teksa të martën do të niset drejt Turqisë, atje ku do të luajë 3 sfidat ndaj vendit pritës, por edhe Izraelit dhe Qipros.
Dy lojtaret e ekipit, Matilda Tanushi dhe Fabiola Caka, të pyetura lidhur me ftesën nga stafi kuqezi për të përfaqësuar Kombëtaren në këtë fazë, shprehen shumë të lumtura. Tanushi, një lojtare cilësore e skuadrës, që ishte edhe protagoniste në Eliminatoret e kaluara me një gol thotë se objektivi i skuadrës është vendi i parë, teksa thekson se edhe skuadra është mjaft e karikuar. “Sigurisht, jam shumë e emocionuar që mora sërish një ftesë nga Kombëtarja dhe do të përfaqësoj Shqipërinë në ndeshjet e raundit të dytë të Kampionatit Evropian”, – thotë ajo fillimisht.
Tanushi komenton më tej edhe atmosferën në ekip, teksa thotë: “Me vajzat jemi shumë mirë, jemi të karikuara dhe shpresojmë të marrim rezultate të mira ashtu si në turin e parë. Kemi si objektiva fitoren dhe të dalim në vendin e parë”. Në fund, Tanushi flet edhe për ëndrrën e saj që është Kombëtarja e të rriturave. “Normal që synimi i çdo futbollisteje është të arrijë te Kombëtarja e madhe dhe pse jo të realizojë ëndrrat e saj në ekipe më të mëdha si këtu në Shqipëri dhe jashtë shtetit”, – përfundon futbollistja kuqezi.