AlbanianSport.com 20/10/2021 23:25
ASNN – Kombëtarja shqiptare e Nën-19-vjeçareve në futboll për femra ka nisur të mërkurën përgatitjet për ndeshjen e dytë ndaj Andorrës, e vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian të 2022-shit. Trajneri Kreshnik Krepi ka pasur të plotë të gjithë skuadrën e tij, duke zhvilluar kështu një seancë të plotë stërvitore. Në një prononcim për faqen zyrtare në Internet të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), trajneri kuqezi u shpreh se gjendja e skuadrës paraqitet pozitive, pavarësisht se gjendja fizike e skuadrës nuk është në 100% e saj.
Krepi u ndal edhe te barazimi i djeshëm ndaj Moldavisë, ku u shpreh se skuadra zhvilloi një ndeshje të mirë dhe se ekipi kuqezi pati disa raste për ta fituar ndeshjen, duke qenë më dominues. Trajneri foli edhe për ndeshjen e radhës ndaj Andorrës, ku u shpreh se skuadra do të bëjë më të mirën dhe do të kërkojë 3-pikëshin. “Atmosfera e skuadrës është shumë pozitive, pasi na ka shërbyer shumë java e përgatitjes në Durrës, – ka thënë trajneri kuqezi. – Sa i përket gjendjes fizike të skuadrës, nuk është në 100% e tyre, pasi edhe kampionati i femrave në Shqipëri ka dy javë që ka nisur.”
“Sidoqoftë, në raport me mundësitë, me elementin që kemi në skuadër, të paktën te ndeshja e parë, duke marrë parasysh që nuk e njihnim kundërshtarin, pavarsisht se përgatitjet në kampionatin e tyre kishin gati një muaj e gjysmë që kishin nisur, ne dominuam në shumë aspekte të lojës, ku me pak fat edhe mund ta fitonim ndeshjen, – ka vijuar ai. – Pavarësisht se krijuam 3-4 situata për të shënuar, loja mbaroi 0-0 por gjithsesi vajzat kanë një atmosferë shumë pozitive dhe kjo na bën të jemi optimistë për një rezultat pozitiv te ndeshja e radhës.
Përtej rezultatit, trajneri i ri i Kombëtares së Nën-19-vjeçareve ka mbetur i kënaqur me ndeshjen e djeshme, teksa thekson: “Normalisht që jam i kënaqur, sepse në të gjitha detyrat e dhëna, sidomos reparti i mbrojtjes, ashtu si edhe skuadra në mbrojtje në 20-minutëshin e parë, sapo u njoh me vendosjen e kundërshtarit, ishte e përsosur, ashtu si edhe në minutazhin e mbetur, kur mbrojtjen e çuam lart. Kemi probleme në fazën sulmuese, por, në raport me kohën që kemi, shpresojmë t’i rikuperojmë ato defekte.”
Po çfarë presim nga skuadra ndaj Andorrës? “Sa i përket rezultatit në ndeshjen e radhës, besoj shumë te kondicioni dhe elementet e shprehive të situatave në sulm që po punojmë me vajzat këto dy ditë, – përgjigjet Krepi. – Në raport me Andorrën, jam i bindur që nuk do të luajë si me Uellsin, sepse diferencat ishin shumë të mëdha dhe e priti kundërshtarin 90 minuta në gjysmëfushën e vet. Sidoqoftë, do bëjmë më të mirën dhe me Andorrën do mundohemi të realizojmë një gol dhe kur realizon, gjithmonë duke qenë pastër mbrapa dhe të mundohemi pa gabime, të shpresojmë të marrim 3-pikëshin”, – përfundoi trajneri i Kombëtares kuqezi të Nën-19-vjeçareve.