AlbanianSport.com 21/02/2024 13:50
ASNN – “Visit Malta Trophy”, trajneri Grima: “Turneu erdhi në kohën e duhur, do të na shërbejë për të parë nga afër gjendjen e vajzave”. Kështu, Kombëtarja shqiptare e femrave është gati për turneun “Visit Malta Trophy”. Vajzat kuqezi mbyllën përgatitjet në mjediset e “Shtëpisë së Futbollit” në kryeqytet dhe mëngjesin e së mërkurës udhëtuan drejt Maltës. Pasditen e së mërkurës, Kombëtarja e femrave do të zhvillojë edhe seancën e fundit stërvitore dhe nesër do të luajë takimin e parë ndaj Bjellorusisë, në stadiumin “Toni Becina” në ora 14:00.
Trajneri i Kombëtares shqiptare të vajzave, Armir Grima në një prononcim për faqen zyrtare në Internet të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) tha se turneu “Visit Malta Trophy” është një mundësi e mirë, pasi do të shërbejë për të parë nga afër gjendjen e vajzave. “Ky turne besoj se na shërben sepse erdhi në kohën e duhur dhe ne kishim nevojë për të parë gjendjen e vajzave, përgatitjen që ato kanë bërë këtë periudhë që kanë qenë larg ekipit kombëtar”, – ka thënë ai. – Janë dy ndeshje me kundërshtarë pothuajse të përafërt me ne.”
“Dhe besoj që është një mundësi e mirë edhe për vajzat që nuk kanë patur shumë minuta, do t’u jepet mundësia për t’u aktivizuar, do të shikojmë se ku jemi dhe të mendojmë për të ardhmen, – ka vijuar trajneri kuqezi. – Objektivi? Kemi dy kundërshtarë të barabartë me ne dhe objektivi kryesor është që t’i japim minuta vajzave, t’i aktivizojmë sa më shumë vajzat e reja dhe të bëhemi gati për eliminatoret që kemi në muajin prill.” Më tej, trajneri Grima theksoi se ekipi Kombëtar është një derë e hapur për të gjitha vajzat që kanë dëshirë të nderojnë falmurin dhe kombin.
“Në çdo grumbullim që bëjmë mundohemi që të afrojmë vajza të reja, mundohemi që t’i motivojmë që ta shohin vetë, që të jesh pjesë e ekipit Kombëtar nuk është diçka që duhet marrë lehtësisht, duhet djerës, mund dhe duhet ta provojnë vetë se si është të jesh pjesë e ekipit Kombëtar dhe të luash me ato kundërshtarë që luan Kombëtarja, – ka thënë ai. – Prandaj ua kemi dhënë mundësinë dhe do vazhdojmë që t’i japim mundësinë, është një derë e hapur për të gjitha vajzat që kanë dëshirë për t’u rritur, aktivizuar dhe për të nderuar flamurin dhe kombin tonë.”
Ndeshja e dytë e Kombëtares shqiptare të vajzave në turneun “Visit Malta Trophy” do të jetë ndaj Ishujve Faroe, më 25 shkurt. Edhe ky takim do të luhet në stadiumin “Toni Becina” në ora 14:00.