AlbanianSport.com 29/08/2019 20:15
ASNN – Të enjten, në mjediset e stadiumin “Elbasan Arena”, kanë dalë në një konferencë për shtyp dy futbollistet e kombëtares së femrave, Megi Doçi dhe Arbiona Bajraktari, të cilat folën për ndeshjen e eliminatore të “Euro 2021”-shit, Shqipëri-Finlandë, që do të luhet më datë 2 shtator 2019, duke nisur nga ora 17:00, dhe përgatitjet që po kryen skuadra përfaqësuese. “Do të përballemi me një ekip të vështirë dhe mendoj se ndeshja e parë të motivon më tepër për ndeshjet në vazhdim”, – theksoi Doçi.
“Mendoj se jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje, – vijoi futbollistja e Vllaznisë. – Një grup i mirë vajzash vijmë nga entuziazmi i kualifikimit (në turin e 32-shes) në Ligën e Kampioneve të Evropës në futboll për femra. – Shpresoj që edhe vajzat e tjera të Kombëtares të jenë përgatitur sa më mirë në klubet e tyre përkatëse. Objektivat nuk mungojnë, e rëndësishme është, ne të japim më të mirën në fushë, të luajmë me shpirt, të vendosim zemrën në fushë dhe gjithçka mund të arrihet. Dëshira që unë të shënoj në këtë ndeshje nuk mungon, por ajo që është më e rëndësishme është i gjithë ekipi.”
“Grupi që bëjmë pjesë, është një grup i fortë dhe i vështirë, janë skuadra me shumë eksperiencë, por më e rëndësishme është ne të jemi grup dhe të luftojmë për më të mirën”, – ka përfunduar futbollistja shkodrane. Ndërkaq, në fjalën e saj, Arbiona Bajraktari u shpreh: “Ne jemi duke u përgatitur shumë mirë, e duam të japim maksimumin pasi luajmë në vendin tonë, e shpresoj të kemi mbështetjen e tifozëve në shkallët e stadiumit “Elbasan Arena”. Objektivat nuk jemi në gjendje t’i përcaktojmë ne por, i garantojmë trajnerit, tifozerisë dhe stafit, që ne do të bëjmë maksimumin, që të marrim sukses në këtë grup.”
Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se hyrja në stadium për këtë ndeshje do të jetë falas.