AlbanianSport.com 19/07/2022 20:35
ASNN – Përfitues direktë të projektit “Uniforma Ime” janë fëmijët, por edhe prindërit, të cilët duke nisur nga muaji shtator nuk do të paguajnë më për të blerë sete uniformash për fëmijët. Fjoralba Ruço dhe Eglon Konduro, prindër të fëmijëve që luajnë me ekipe futbollin në qarku sportiv të Korçës falenderuan FSHF-në për projektin. Ruço tha në fjalën e saj se investimi për fëmijët është sikurse të investohet për të gjithë botën.
“Është një projekt që dua t’ju përgëzoj dhe të falënderoj Federatën Shqiptare të Futbollit, të gjithë prindërit dhe fëmijët , pasi çdo gjë bëhet për ta”, – tha ajo fillimisht. “Nëse flasim për fëmijët, kemi thënë gjithçka. Nëse investojmë për fëmijët, atëherë kemi investuar për të gjithë botën. Kështu që ju falënderoj. Ju uroj shumë suksese organizatorëve dhe fëmijëve në vazhdimësi”, – përfundoi Ruço, ndërsa Konduro, si një ish-sportist dhe tashmë prind e konsideroi këtë ditë si të jashtëzakonshme për futbollin, jo vetëm në Korçë, por për të gjithë Shqipërinë.
“Është kënaqësi e veçantë të jem sot këtu, – tha ai. – Në këtë moment nuk na mbetet gjë tjetër veçse të jemi falënderues. Është një ditë e jashtëzakonshme për futbollin, jo vetëm në Korçë, por në të gjithë Shqipërinë. Uniforma është një nga elementet bazë të futbollit. Unë jam pjesë e kësaj fushe dhe e di shumë mirë se çfarë do të thotë të kesh një uniformë të përshtatshme. Kjo është ana morale. Ndërsa për ne si prindër shohim edhe nga ana financiare.”
“Pasi tashmë nuk do na duhet t’i blejmë më uniformat, por do të jenë falas nga FSHF. Besoj se kjo do të ketë ndikim edhe në rritjen e cilësisë sportive dhe në masivizimin e futbollit. Faleminderit FSHF dhe suksese të gjithëve!”, – përfundoi Konduro.