AlbanianSport.com 19/07/2022 17:55
ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit ka vijuar me prezantimin e projektit “Uniforma Ime” në qytetin e Korçës. Ashtu sikurse në çdo qytet tjetër ku është lançuar tashmë ky projekt, prezentë kanë qenë shumë prindër e fëmijë, të cilët janë përfituesit direktë të këtij projekti, që do të marrin falas nga muaji shtator bazën materiale falas. Të gjithë fëmijët që luajnë futboll, nga mosha Nën-7, deri në moshën Nën-19-vjeç do të përfitojnë një set veshjesh që në uniformë loje, uniformë stërvitjeje, komplet tutash dhe fëshe kundra shiut për stërvitje së bashku edhe me çantën e stërvitjes.
I gjithë ky projekt kaq i madh, që ka si qëllim zhvillimin e futbollit të fëmijëve do të kushtojë 1 milion Euro dhe do të mbulohet totalisht nga Federata Shqiptare e Futbollit. Për të prezantuar projektin “Uniforma Ime” në Korçë ishte i pranishëm vetë Zëvendës-Presidenti i FSHF-së, Lutfi Nuriu, i cili në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se ky projekt ka si qëllim të ndihmojë të gjithë fëmijët dhe i uroi të jenë sa më pranë fushave të futbollit.
“Projekti “Uniforma Ime’’ i ka kushtuar Federatës Shqiptare të Futbollit 1 milionë euro. Ky projekt është për të gjithë fëmijët nga mosha Nën-7, deri në moshën Nën-19-vjeç dhe krah projektit “100 Fusha“, ky projekt ndihmon të gjithë fëmijët që të luajnë futboll dhe ata që kanë mundësi, por edhe ata që nuk kanë mundësi. U uroj të gjithë fëmijëve të rriten të shëndetshëm, të mësojnë futboll dhe nesër t’i shikojmë sa pranë futbollit”, – tha ndër të tjera në fjalën e tij Zv.Presidenti Nuriu.