AlbanianSport.com 14/08/2018 13:15
ASNN – Siguria në stadium, klubet ankohen për kostot, diskutohet edhe numri i lojtarëve të huaj. Kampionati Kombëtar i Futbollit ngre në fundjavë siparin e edicionit të tij të 80-të me ndeshjet e javës së parë të Kategoria Superiore dhe, në prag të nisjes së sezonit të ri, Federata Shqiptare e Futbollit ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e 10 klubeve pjesëmarrëse.
Ky takim i zhvilluar në mjediset e organizmit që qeveris futbollin në vend, nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm, Ilir Shulku, por edhe me praninë dhe zëvendëspresidenti ka patur natyrë informuese dhe ka konsistuar edhe në diskutime të ndërsjella, sa i përket sigurisë në stadiume, orareve të ndeshje, aspekteve të protokollit e të tjera. Një nga ndryshimet sa i përket sezonit të shkuar është edhe siguria në stadiume.
Këtë sezon ajo nuk do të mbulohet nga Policia e Shtetit, por nga kompani private të sigurisë. Përfaqësuesit e FSHF-së kanë sqaruar se Policia e Shtetit do të garantojë vetëm sigurinë e perimetrit të stadiumit, ndërsa brenda tij, do të jetë kompania private që do të garantojë sigurinë dhe mbarëvajtjen e ndeshjeve. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e klubeve kanë shprehur shqetësimin se kjo nënkupton rritje të kostove në këtë drejtim.
Ata kanë kërkuar edhe shmangien e abuzimeve me rastet kur klubet ia besojnë sigurinë e ndeshjeve punonjësve të bashkisë të veshur me jelekët e kompanive të sigurisë fizike. Klubet kanë kërkuar gjithashtu edhe sqarimin e çështjes së lojtarëve të huaj që do të aktivizohen në një ndeshje futbolli nga secila skuadër, por Sekretari Shulku ka shpjeguar se kjo do të vendoset në mbledhjen që Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së do të mbajë të enjten.