AlbanianSport.com 16/05/2020 22:05
ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë të ditur të shtunën se ditën e hënë, më datë 18 maj 2020, do të përfundojë faza e parë e pagesës për kategorinë e punonjësve të futbollit që përfitojnë nga paketa financiare e ndihmës së FSHF.
Një gjë të tillë organizmi që qeveris futbollin në vend e ka bërë të ditur nëpërmjet një njoftimi të publikuar në faqen e saj zyrtare në Internet. FSHF-ja ka sqaruar ndërkohë që do të fillojë ditën e martë me fashën e dytë të pagesave për të gjithë këtë kategori.
Duke sjellë në kujtesë kategoritë që përfitojnë nga vendimi i marrë muajin e shkuar nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, këtë pagë e përfitojnë futbollistët e Kategorisë Superiore dhe stafet, pra çdo punonjës i siguruar i tyre.
Po kështu e përfitojnë edhe të gjithë ata punonjës të futbollit që nuk kanë të ardhura të tjetra dhe marrin pagesën e plotë 30 mijë lekësh të rinj. Ndërkohë, anëtarë të stafeve të klubeve të cilët janë të angazhuar me kohë të pjesshme, përfitojnë gjysmën e pagesës.
Kurse të gjithë trajnerat e moshave që nuk janë në një punë tjetër marrin pagesën e plotë. Trajnerët e moshave që janë të punësuar në punë tjetër përfitojnë gjysmën e pagesës, ndërsa të gjithë gjyqtarët që nuk janë në një punë tjetër do të marrin pagesën e plotë.