AlbanianSport.com 01.02.2017 09:45
ASNN – Ndonëse ka përmirësime, sidomos në sezonin e fundit, korrektesa e klubeve në drejtim të respektimit të kontratave me futbollist mbetet një problem shqetësues në futbollin shqiptar. Këtë e ka pohuar për Televizionin Shqiptar edhe shefi i garave në Federatën Shqiptare të Futbollit, Lysien Nurishmi, i cili ka vlerësuar prirjen gjithnjë e në rritje për ta zgjidhur këtë çështje në nivel kombëtar dhe jo ndërkombëtar.
Kështu, çështja e ndëshkimeve për shkak të shkeljeve të kontratave të lojtarëve nga ana e klubeve mbetet e prekshme në futbollin shqiptar, por, për shefin e garave në Federatën Shqiptare të Futbollit, Lysien Nurishmi, ka përmirësime në këtë drejtim. Për Nurishmin, gjithçka FSHF-ja mund të bëjë është ndërgjegjësimi i vazhdueshëm i klubeve dhe lojtarëve.
Zyrtari i organizmit që qeveris futbollin në vend ka vlerësuar edhe prirjen për ta zgjidhur këtë çështje në nivel kombëtar. Në rastin më të fundit, futbollisti Gjergji Muzaka e fitoi gjyqin me Tiranën në Dhomën e Zgjidhjeve të Konflikteve në FSHF, që caktoi një masë dëmshpërblimi prej 10.6 milionë lekësh.