AlbanianSport.com 15/01/2024 15:15
ASNN – Nis edicioni i 3-të i kursit të Mjekësisë Sportive nga FSHF, Begolli: “Numër rekord aplikimesh, sjellim teknologjinë e fundit në përdorimin e pajisjeve”. Kursi i Mjekësisë Sportive, i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit e që udhëhiqet nga Departamenti i Mjekësisë Sportive, ngriti siparin e edicionit të 3-të këtë të hënë.
Lektorët kryesorë në këtë kurs shumë të rëndësishëm do të jenë dy përfaqësuesit e Departamentit të Mjekësisë Sportive, Xhanluka Stesina dhe Ilvi Begolli, ndërkohë që në vijim do të ketë të ftuar edhe lektorë të ndryshëm me një përvojë të pasur në fushën e mjekësisë sportive.
Në këtë edicion të ri janë regjistruar 50 kursantë në kursin e Mjekësisë Sportive, por siç tregon për faqen zyrtare në Internet të organizmit që qeveris topkëmbën në vend, Koordinatori i Departamentit të Mjekësisë në Federatën Shqiptare të Futbollit, Ilvi Begolli ka patur një numër rekord aplikimesh, që i është dhënë mundësia të regjistrohen sezonin tjetër.
“Ky është viti i 3-të që ne organizojmë kursin e mjekësisë sportive në Federatën Shqiptare të Futbollit”, – ka thënë fillimisht Begolli, duke vijuar: “Do të thoja që numri i pjesëmarrësve rritet nga viti në vit. Këtë vit, numri i pjesmarrësve është rreth 50 dhe i ka kaluar pritshmëritë.”
“Kemi pasur akoma më shumë kërkesa por për arsye të kapaciteteve dhe për të zhvilluar një gjë sa më korrekte jemi detyruar që t’i shtyjmë për një moment të dytë pjesëmarrësit e tjerë, i kemi dhënë mundësinë të regjistrohen vitin tjetër”, – ka shtuar zyrtari i FSHF-së.