AlbanianSport.com 18/01/2024 23:55
ASNN – 50 gjyqtarë dhe ndihmësgjyqtarë, në testet fizike dhe teorike. Sektori i Gjykimit në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) ka organizuar këtë të enjte në mjediset e “Shtëpisë së Futbollit” në kryeqytet seminarin teorik dhe testet fizike për gjyqtarët dhe ndihmësgjyqtarët e Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, në prag të rifillimit të pjesës së mbetur të edicionit futbollistik 2023-2024.
Pas përfundimit me sukses të këtij procesi pak ditë më parë me gjyqtarët dhe ndihmësgjyqtarët e Kategorisë Superiore, këtë herë ishte radha e atyre të Kategorisë së Parë, që fillimisht i janë nënshtruar testeve fizike. Sipas asaj që përcjell FSHF-ja, 50 gjyqtarët dhe ndihmësgjyqtarët të nivelit të dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit i kaluan me sukses testet fizike.
Të gjithë kishin rezultate të mira dhe shfaqën gjendje optimale para rifillimit të edicionit futbollistik. Më pas gjyqtarët dhe ndihmësgjyqtarët e Kategorisë së Parë kanë vijuar me seminarin teorik, ku janë diskutuar problematikat e hasura gjatë ndeshjeve të kësaj kategorie, performanca e tyre gjatë pjesës së parë të sezonit dhe aspektet e punës së arbitrave që janë për t’u përmirësuar.
Gjatë seminarit u diskutua edhe për situata të ndryshme të lojës dhe interpretimi i duhur i rregulloreve, ndërsa gjyqtarët shkëmbyen vazhdimisht mendime për raste të caktuara të ndeshjeve. Seminarit synon të përmirësojë nivelin e gjykimit shqiptar, teksa të gjithë gjyqtarët dhe ndihmësgjyqtarët kanë mundësi të zgjerojnë njohuritë e tyre dhe të mësojnë më tepër për ndryshimet e rregullave të lojës.