AlbanianSport.com 25/05/2018 14:20
ASNN – Një delegacion i përbashkët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Meksika kanë mbërritur në Federatës Shqiptare të Futbollit të enjten. Stiv Rid, president i Federatës Kanadeze të Futbollit, Brajan Remedi, Shef i administratës në Federatën Amerikane të Futbollit, Sandra Gejxh, shefe e marketingut në Federatën Kanadeze të Futbollit dhe Drejtori për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Federatën Meksikane të Futbollit , Inigo Riestra janë pritur nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe Sekretari i Përgjithshëm i saj, Ilir Shulku.
Të 3 vendet, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Meksika kanë shpallur kandidaturën e përbashkët për të organizuar Botërorin e futbollit të vitit 2026. Presidenti Rid, që është edhe bashkëkryetar i Komisionit për Kandidaturën e përbashkët për Botërorin e vitit 2026 theksoi se të 3 vendet janë gati për një veprimtari të tillë. Pas një prezantimi të shkurtër nga ana e delegacionit për kandidaturën e përbashkët, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka theksoi se: “Organizimi i një botërori nga këto tre vende do të jetë një gjë shumë e bukur.”
“Para disa ditësh kam takuar edhe një delegacion nga Maroku, ku edhe ata janë kandidatë zyrtarë, – ka vijuar ai. – Nëse kandidatura juaj e përbashkët fiton, uroj dhe uroni të jetë edhe Shqipëria në atë Botëror. Doja të theksoja që nëse realizohet kjo, tifozët tanë do ta kenë shumë të vështirë për të qenë atje për shkak të pajisjes me vizë. Mendoj se kjo kërkon një trajtim tjetër nga ana juaj për një problem të tillë.” Përfaqësuesit e 3 shteteve e mirëpritën me shumë dashamirësi një sugjerim të tillë, në mbështetje dhe ndihmë të tifozëve, duke garantuar edhe ndjekjen e një procesi të tillë në vijimësi.