AlbanianSport.com 15/01/2024 18:55
ASNN – Kursi i Mjekësisë Sportive, i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit e që udhëhiqet nga Departamenti i Mjekësisë Sportive, nisi këtë të hënë edicionin e 3-të të tij. Lektorët kryesorë në këtë kurs shumë të rëndësishëm do të jenë dy përfaqësuesit e Departamentit të Mjekësisë Sportive, Xhanluka Stesina dhe Ilvi Begolli, ndërkohë që në vijim do të ketë të ftuar edhe lektorë të ndryshëm me një përvojë të pasur në fushën e mjekësisë sportive.
“Do të thoja që këtë vit kemi një prezencë të shtuar të mjekëve, pra kemi një ndërthurje midis mjekëve dhe fizioterapistëve, – ka thënë fillimisht Begolli. – Prania e mjekëve këtë vit është shumë herë më e madhe se ç’ka qenë në vitet e kaluara. Është për t’u vlerësuar që në vazhdim. ne do të kemi më shumë mjekë të cilët do të jenë të fokusuar në fushën e mjeksisë sportive dhe do të punojnë më shumë me ekipet. Rrjedhimisht do të kemi një mbarëvajtje më të mirë të menaxhimit të sportistëve apo dhe klubeve ku ata mund të punësohen.”
Në lidhje me risitë që sjell kursi këtë edicion, ai shprehet se fokusi qëndron tek makineritë e reja të cilat përdoren në mjekësinë sportive. “Ne sot kemi një prezantim të të gjitha pajisjeve që përdoren në fushën e Mjekësisë Sportive dhe të fizioterapisë, – sqaron zyrtari i FSHF-së. – Është një seancë 3-ditore që është e ndërthurur midis meje, doktor Stessinës dhe një grupi italian mjekësh dhe fizioterapistësh, të cilët do të vijnë dhe do të na sjellin risitë e fundit dhe teknologjinë e fundit të përdorimit të pajisjeve në fushën e Mjekësisë Sportive.”
“Më pas do të vijojmë me problematikat e gjurit, të supit pra të gjitha ato problematika që i përkasin fushës dhe që janë të prekshme në sport”, – ka përfunduar Koordinatori i Departamentit të Mjekësisë Sportive në Federatën Shqiptare të Futbollit, Ilvi Begolli.