AlbanianSport.com 12/05/2020 16:35
ASNN – Piloti gjerman dhe skuadra italiane e mbyllin bashkëpunimin 6-vjeçar në fund të 2020-ës. Pavarsisht se palët e kishin mohuar vazhdimisht, ndarja po përvijohej dalëngadalë në horizont dhe tanimë është bërë zyrtare. Pas 6 vitesh në timonin e “kokëkuqes” legjendare, piloti gjerman, Sebastian Fetel do ta mbyllë brenda 2020-ës bashkëpunimin me “Ferrari”-n, ndërsa destinacioni i tij në të ardhmen mbetet një mister. Sebastian Feteli dhe “Ferrari” do ta mbyllin në fund të 2020-ës bashkëpunimin midis tyre, pas 6 vitesh së bashku në Formula 1.
Lajmi i bujshëm konfirmohet si nga e përditshmja më e madhe gjermane “Bild”, por edhe nga revista e përdyjavshme e specializuar gjermane, “Auto Motor und Sport”, të cilat kanë konfirmuar të hënën në mbrëmje vonë se Feteli do të largohet nga “Ferrari” dhe se një gjë e tillë do të zyrtarizohet brenda kësaj jave, duke nisur nga dita e marë. Kontrata aktuale 3-vjeçare e gjermanit me skuadrën italiane u nënshkrua në gusht të 2017-ës dhe skadon në fund të 2020-ës.
Bisedimet për një vazhdim të bashkëpunimit u shoqëruan nga spekulimet për javë të tëra nëpër media, por tanimë është marrë vendimi që Feteli të largohet nga skuadra me bazë në Maranelo. Në zanafillë të këtyre spekulimeve, e përditshmja e mirënjohur sportive italiane “Gazzetta dello Sport”, raportoi se “Ferrari” i kishte ofruar Fetelit një kontratë njëvjeçare për 2021-shin, me një pagë të reduktuar, edhe për arsye se skuadra italiane sapo ka konfirmuar Sharl Lëklerkun edhe 5 vite të tjera, deri në fund të 2024-ës.
Kjo bëri që baraspesha në skuadrën italiane të zhvendosej në dëm të Fetelit, i cili po rrezikonte të bëhej piloti i dytë i skuadrës, pas të riut nga Montekarlo, pavarsisht 14 fitoreve të korrura me “Ferrari”-n. Feteli, 4 herë kampion i botës në Formula 1 me “Red Bull”-in, erdhi në 2014-ën tek “Ferrari”, pasi u la në hije nga ish-shoku i tij i skuadrës, Daniel Riçiardo.
Ndonëse është shpallur dy herë nënkampion i botës me skuadrën italiane, karriera e tij me “Ferrari”-n është goditur shpesh nga gabime të pafalshme. Ndonëse e pati lënë në hije ish-shokun e tij të skuadrës, Kimi Raikonenin, gjermani ka qenë në vështirësi që nga ardhja në 2019-ën e të riut Lëklerk. Sa i përket të ardhmes së Fetelit në Formula 1, gjithçka duket pezull, ndërsa zëra të ndryshëm në median italiane thonë se “Renault” i ka bërë një ofertë konkrete, sepse Riçiardo e ka humbur dëshirën për të vazhduar bashkëpunimin me skuadrën franceze.
Një tjetër mundësi është “MekLaren”-i dhe shkëmbimi kokë më kokë me Karlos Sainzin, i cili është përfolur si zëvendësuesi i gjermanit tek “Ferrari”. Kontrata e spanjollit 25-vjeçar me “MekLaren”-in skadon gjithashtu në fund të 2020-ës dhe flitet që ai pëlqehet në Maranelo. Burime pranë Fetelit e kanë hedhur poshtë një rikthim tek “Red Bull”-i, aty ku Maks Verstapeni ka firmosur të paktën deri më 2023. Sipas këtyre burimeve, skuadra austriake nuk mund dhe nuk do të paguajë dy pilotë superyje për arsye të thjeshta monetare.
Duhet kujtuar këtu se edhe 6 herë kampionit të botës, Ljuis Hemiltonit, i skadon gjithashtu kontrata në fund të 2020-ës dhe ende nuk i ka bërë të ditur planet e tij për të ardhmen.