AlbanianSport.com 13/07/2019 19:10
ASNN – Kampioni në fuqi i botës fiton Çmimin e Madh të Britanisë së Madhe, thellon kryesimin. Është zhvilluar të dielën gara e Çmimit të Madh të Britanisë së Madhe, e cila është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar dhe ku nuk ka munguar spektakli. Ljuis Hemilton ka korrur fitoren e 7-të në këto 10 gara të këtij sezoni dhe të 6-tën në pistën e shtëpisë, ndërsa pika më kulminante në pistën e Silverstounit, ishte përplasja midis Maks Verstapenit dhe Sebastian Fetelit.
Ka qenë një tjetër garë e ndjekur nga një numër i jashtëzakonshëm tifozësh në Silverstoun dhe një tjetër garë e Çmimit të Madh të Britanisë së Madhe ku nuk ka munguar spektakli. U duk se, duke u nisur nga vendi i parë, Valteri Botas, e kishte bërë gjithçka siç duhej, duke kryesuar që nga hapja e semaforëve dhe duke mbajtur prapa shokun e tij të skuadrës, Ljuis Hemiltonin. Por futja në pistë e makinës së sigurisë i dhuroi atij një “pit stop” falas.
Duke i mundësuar britanikut që ta parakalonte finlandezin dhe t’i drejtohet fitores së 6-të në shtëpi, një rekord i ri ky për Hemiltonin, i cili korri kështu edhe triumfin e 7-të në 10 garat e këtij sezoni. Por beteja për kryesimin e garës ishte vetëm një pjesë e asaj që ndodhi në pistën e Silverstounit. Pas dy “Shigjetave të argjendta” të “Mercedes”-it, u zhvillua një betejë në kuptimin e vërtetë të fjalës “rrotë më rrotë” për vendin e 3-të, midis “Ferrarit” dhe “Red Bull”-it.
Një betejë që në fund u fitua nga Sharl Lëklërk, por vetëm oasi Maks Verstapeni u godit në mënyrë dramatike dhe u nxorr nga pista nga makina tjetër e “Ferrarit”, ajo e Sebastian Fetelit. Në fakt, piloti holandez i “Red Bull”-it sapo e kishte parakaluar rivalin e tij gjerman, i cili sidoqoftë nuk pranoi të dorëzohej dhe sulmoi menjëherë, por gaboi në frenim, duke e goditur nga prapa Verstapenin dhe duke bërë që të dyja makinat të dalin nga pista.
Edhe pse të dy pilotët u rifutën në garë, Verstapeni humbi mundësinë për në podium, duke u detyruar të kënaqej me vendin e 5-të, pas shokut të tij të skuadrës së “Red Bull”-it, Pjer Gaslisë, ndërsa Feteli praktikisht e rinisi garën dhe u detyrua të kënaqej me vendin e 16-të. Karlos Sainz mori vendin e 6-të, duke lënë prapa “Renault” e Daniel Riçiardos dhe “Alfa Romeon” e Kimi Raikonenit. 10-shen e të parëve e plotësuan Danil Kviat dhe Niko Hulkenbergu, i cili ia vodhi vendin Aleksandër Albonit në xhiron e fundit.