AlbanianSport.com 22/05/2020 20:10
ASNN – Edhe gara për Çmimin e Madh të Amerikës në Formula 1 është në dyshim për t’u zhvilluar. Kjo për faktin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi më i prekur nga epidemia e “Covid-19”. Autoritetet shëndetësore të Teksasit ende nuk mund të lejojnë veprimtari me grumbullime prej 2,500 personash. Re të errëta dhe kërcënuese paraqiten në qiellin e pistës amerikane në Ostin, i cili do të presë Çmimin e Madh të Shteteve të Bashkuara në Formula 1.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë sot vendi më i goditur nga epidemia e “COVID-19”. Çdo lajm për numrin në rritje të të infektuarve, ka vënë në alarm edhe përgjegjësit e ruajtjes së shëndetit në kryeqytetin e shtetit të Teksasit. Për momentin gara është ende parashikuar për t’u zhvilluar në fundjavën e 25 tetorit, por duket si një qetësi e përkohshme para stuhisë së mundshme. Ostini po përballet në këto ditë, me fazën e tretë të planit të hapjes, pas bllokimit fillestar.
Kjo fazë lejon grumbullimet deri në 10 veta, duke i konsideruar midis tyre me rrezik të ulët infektimi. Ostini duhet të presë të arrijë në atë që është quajtur Faza 1. Për momentin pista amerikane mbetet e mbyllur. Ajo ka pritur vetëm një veprimtari bamirësie në fillim të këtij muaji. Dr. Mark Eskot, drejtor i Autorititetit të Shëndetit Publik në Ostin, ka theksuar se nuk do të jetë prioritet pritja e një numri të madh njerëzish nëpër veprimtari sportive.
“Aktivitetet e mëdha janë të parat të cilat ne i kemi ndaluar dhe të fundit që mund të lejohen, sepse rreziku për të patur njerëz të infektuar midis tyre është shumë i madh, – ka thënë ai. – Jemi duke punuar për të parë se farë është më e arsyeshme për t’u bërë në muajt e ardhshëm, ma duke parë të ardhmen, nuk kemi asnjë të dhënë lidhur me periudhën në të cilën virusi do të jetë larguar. Rreziku për të organizuar veprimtari me më shumë se 2,500 persona mbetet shumë i lartë.”
Mbetet për t’u parë nëse numri i të infektuarve do të zbresë në mënyrë domethënëse gjatë javëve të ardhshme, mund të ketë ndryshime drastike të situatës. Duhet kujtuar se cirkuiti ndodhet në vështirësi, sepse ka paguar kuotën e duhur me kompaninë që do të shpërndante ujë dhe ushqime për spektatorët që do të ndiqnin garën. Për këtë arsye, gara me dyer të mbyllura nuk do të jetë e mundur, sepse shteti nuk do të jetë në gjendje ta financojë me paratë e veta.