AlbanianSport.com 12/11/2019 21:10
ASNN – Me shpalljen “kampion bote” të Ljuis Hemiltonit, në Formula 1 llogaritë po bëhen për vendet e tjera të renditjes. Valteri Botasi është i dyti tashmë, ndërsa Lëklerku dhe Verstapeni mund të luftojnë vetëm për vendin e tretë. Kur kanë mbetur edhe dy gara deri në përfundim të këtij sezoni, ata janë vetëm 14 pikë larg njëri-tjetrit në renditje. Kështu, edhe pse titulli “kampion” për pilotë në Formula 1 është zgjidhur, beteja për pozicionet e tjera në renditje vazhdon.
Kështu, Hemiltoni është “kampion bote”, kurse Botasi nuk rrezikon aspak vendin e dytë. Ndërkohë që pilotët që janë në vendin e 3-të, të 4-t e të 5-të, janë shumë pranë njëri-tjetrit. Kur kanë mbetur edhe dy gara për t’u zhvilluar, ajo e Brazilit dhe Abu Dhabi, Lëklerku me 249 pikë, Verstapeni me 235 dhe Sebastian Feteli me 230, janë vetëm 19 pikë larg njëri-tjetrit. Lufta për vendin e tretë do të bëhet me shumë gjasa midis pilotit nga Monako dhe holandezit, të dy të rinj të talentuar, vetëm 22 vjeç.
E sipas parashikimeve, ata do të jenë edhe e ardhmja e Formulës 1, për më tepër, në një kohë që Feteli nuk po jep atë që pritej. E kur në “Maranelo” Binoto e ka bërë të qartë tashmë se nuk dëshiron dy liderë, por një pilot të parë dhe tjetrin ndihmës i tij. Do të ketë më pak ndryshime në renditjen e skuadrave, me “Mercedes”-in, “Ferrari”-n dhe “Red Bull”-in që kanë siguruar edhe matematikisht pozicionet e tyre aktuale dhe “MekLaren”-i në vendin e katërt, me 121 pikë, kundrejt 83 të “Renault”.
Midis “Toro Rosso”-s dhe “Racing Point”, dy që shkëlqejnë në sprintin e fundit, luhet vendi i 6-të dhe vetëm një pikë i ndan ato. Interlagosi dhe Jas Marina do të përcaktojnë gjithçka.