AlbanianSport.com 24/01/2020 19:30
ASNN – Përplasje midis rivalësh dhe shokësh skuadra, por edhe përplasje midis skuadrave. Rivaliteti është në fakt shpirti i Formulës 1 dhe sezoni i ri premton disa beteja interesante. Një pjesë e tyre mund të jenë midis pilotëve të skuadrave rivale, por ka edhe midis pilotëve të së njëjtës skuadër. Një pjesë e tyre janë të mbartura nga sezoni apo sezonet e shkuar, ndërsa një pjesë tjetër pritet të lindin rishtas.
- Kështu, skuadra e “Renault” shpreson që dyshja Daniel Riçiardo-Esteban Okon të funksionojë në 2020-ën dhe kreu i skuadrës franceze, Siril Abitebul, e quajti këtë një “problem të këndshëm”. Por mbase ai duhet të pyesë homologun e tij të “Racing Point”, Otmar Szafnojer se sa i këndshëm ishtre ky problem për të në 2017-2018-ën, kur dy pilotët i plasën shpirtin njëri-tjetrit.
- Ajo ishte padyshim beteja e sezonit të shkuar edhe, përtej përpjekjeve të drejtuesve për të ulur gjakrat, edhe sezoni i ri nuk pritet të shmangë përplasjen e brendshme tek “Ferrari” midis Sharl Lëklërkut dhe Sebastian Fetelit. Ajo që ndodhi në Brazil ishte kulmi i sezonit të shkuar, por këtë radhë, gjendja pritet të jetë edhe më e acaruar, me të riun nga Montekarlo, që duket se e ka parakaluar gjermanin sa i përket rolit të pilotit të parë të skuadrës.
- Përveç betejës me shokun e skuadrës tek “Ferrari”, Lëklërkut do t’i duhet të llogarisë edhe duelin me pilotin e “Red Bull”-it, Maks Verstapenin. Në fakt, ky është një rivalitet që pati nisur që kur të dy ishin adoleshentë dhe garonin në disiplinë e “karting”, aty ku lindën dhe fërkimet e para. 2019-ta ishte sezoni kur ky rivalitet u ringjall, me duele në Austri, Silverstoun dhe Japoni, e për këtë arsye, shumë më tepër pritet prej tyre në 2020-ën.
- Jo vetëm pilotët, por edhe skuadrat kanë patur fërkime me njëra-tjetrën, por interesante është beteja midis “McLaren”-it dhe “Renault”. Kjo e fundit pati një sezon të mirë në 2018-ën, por, në 2019-ën, u mund turpshëm në betejën për vendin e 5-të nga “McLaren”-i, që, si për ironi të fatit, e arriti këtë duke përdorur pikërisht motorët e prodhuesit francez. Prandaj 2020-ta pritet të dhurojë një tjetër duel interesant midis këtyre dy skuadrave.
- Natyrisht, beteja më e madhe e sezonit të ri, mbetet ajo e sezonit të vjetër, por tanimë me kapacitete, protagonistë dhe mendësi edhe më agresive. Në fakt, nuk është një duel, por betejë e trefishtë, ku kampionia në fuqi, “Mercedes”-i, do të përballet me sfidën e dyfishtë që do t’i bëjë “Ferrari” dhe “Red Bull”-i. Pilotët janë të njëjtët, por një vit më të pjekur, ndërsa mbetet për t’u parë nëse edhe niveli teknologjik i dy sfidanteve i është afruar sadopak skuadrës gjermane.