AlbanianSport.com 29/11/2018 22:10
ASNN – Kosovës i rrëshqet fitorja nga duart në Rumani, zbehen shanset për kualifikim. Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll për meshkuj bëri një paraqitje mjaft të mirë sot, në duelin e dytë, të zhvilluar ndaj përfaqësueses së Rumanisë, në kuadër të fazës së dytë të Eliminatoreve të “FIBA EuroBasket 2021”. Shqiptarët e Kosovës e humbën këtë ndeshje me 5 pikë diferencë, më saktë me rezultatin 88-83.
Në fakt, shtatlartët e Kosovës bënë një ndeshje shumë të mirë dhe flirtuan me fitoren në këtë ndeshje deri në sekondat e fundit. 10-minutëshi i parë përfundoi me shifrat 14-17, duke dhënë imazh të mirë dhe vetëbesim për ekipin shqiptar. Në 10-minutëshin e dytë fituan rumunët 21-18. Pra në pushimin e ndeshjes të dyja skuadrat e mbyllën në baraspeshë me rezultatin 35-35.
10-minutëshi i tretë u fitua nga vendasit 24-18, një diferencë prej gjashtë pikësh që u shërbeu rumunëve për fundin e ndeshjes. 10-minutëshi i katërt dhe i fundit u fitua nga Kosova me shifrat 29-30, në një lojë të rivalizuar. Si përfundim fitoi përfaqësuesja e Rumanisë me rezultatin 88-83. Kurse përfaqësuesja e Kosovës mund të krenohet me lojën dhe rivalitetin, por zbehen shpresat që mund të fitojë diçka në këtë grup.
Kosova bën pjesë në grupin B paraeliminator të FIBA EuroBasket dhe përveç Rumanisë, në grup me të është dhe Maqedonia, me të cilën Kosova është mundur brenda në fushë të vet, 73-27, në mesin e shtatorit. Në dy ndeshjet e ardhshme, pra nç fushë të huaj kundër Maqedonisë dhe në fushën e vet ndaj Rumanisë, përfaqësuesja e Kosovës do të kërkojë fitore, qoftë edhe për moralin.