AlbanianSport.com 10.07.2016 20:50
ASNN – Është një tjetër natë për të ëndërruar kjo e sotmja për francezët, që, pas triumfeve kontinentale në vitin 1984 dhe 2000, janë pranë një tjetër suksesi kontinental. Por, që ta bëjnë këtë, vendasit duhet të mundin Portugalinë, në një përballje ku Franca është favorite. Megjithatë, lojtarët janë të kujdesshëm të mos bien në grackën e parashikimeve.
“Nuk do të thoja që jemi favoritë, sepse gjithçka është e hapur, – ka thënë futbollisti francez, Blaize Matuidi. – Portugalia është një skuadër që ka ardhur në rritje dhe ka lojtarë të mëdhenj, ashtu siç i kemi edhe ne.” Sytë e gjithëve do të jenë tej Antuan Grizmani, që po thirret me përkëdheli “Grizu”, i cili ka spikatur si heroi i papritur i Francës dhe është golashënuesi më i mirë i këtij Evropiani.
Por po kaq vëmendje do të tërheqë edhe ylli Portugalisë, Kristiano Ronaldo, i cili ka fituar praktikisht gjithçka me klubet që ka luajtur, por asgjë me përfaqësuesen e vendit të tij. Franca mund të jetë në shtëpinë e saj, por kjo nuk e tremb Portugalinë. “Franca luan në shtëpi dhe ka të drejtë të ëndërrojë fitimin e Evropianit, por po kështu kemi edhe ne të drejtë, – ka thënë futbollisti portugez, Zhoao Mario.
“Ne e dimë historinë tonë kundër Francës, por kjo na motivon, na bën më të fortë dhe shpresojmë të na ndihmojë ta fitojmë finalen”, – ka shtuar ai.