AlbanianSport.com 10.07.2016 22:40
ASNN – Një arritje historike, një emocion i jashtëzakonshëm që zor se përshkruhet me fjalë. Këto kanë qenë reagimet e para të protagonistëve të suksesit të atletikës shqiptare në Evropianin e Amsterdamit, ku Luiza Gega u shpall nënkampione e 3,000 metrave me pengesa.
Duke folur ekskluzivisht për Televizionin Shqiptar nga Holanda, vetë atletja, trajneri i saj Taulant Stërmasi, dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, e kanë cilësuar këtë triumf një ogur të mirë për Olimpiadën e Rios. Kishte shpresuar për një medalje dhe shenjat i kishte dhënë që në gjysmëfinale, por Luiza Gega ende nuk e beson as vetë se është nënkampione e Evropës në 3,000 metra me pengesa.
Ndërsa trajneri i saj, Taulant Stërmasi, shpreson që ky sukses të përkthehet në mbështetje të gjithanshme. Kurse presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, e ka cilësuar këtë triumf një ogur të mirë për Olimpiadën e Rios. Luiza Gega ka arritur të marrë medaljen e argjendtë ndonëse ka garuar për herë të parë në disiplinën e 3,000 metrave me pengesa.