AlbanianSport.com 02/10/2021 21:40
ASNN – Janë luajtur të shtunën dy takime të tjera të vlefshme për javën e 4-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit dhe Egnatia ka arritur të marrë fitoren e parë në këtë sezon, duke mundur me rezultatin 2-1 Kastriotin. Ishte një sfidë me shumë emocione, që dhuroi gjithçka gjatë një 90 minutëshi. Të besuarit e trajnerit Magani arritën të gjejnë golin e epërsisë në minutën e 25-të të takimit me anë të Pedro Augusto Kabralit, që u tregua i saktë nga pika e 11-metërshit.
Pjesa e dytë nis e vështirë për krutanët, të cilët vetëm pas 6 minutash lojë humbasin shërbimin e Kodrës, i aktivizuar në fillim të pjesës së dytë, që ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë. Por, përkundër kësaj, të besuarit e trajnerit Ramadan Ndreu arrijnë të vendosin barazpeshën, pavarsisht inferioritetit numerik. Në minutën e 59-të të takimit, një gabim i portierit të rrogozhinasve, Puja i ka dhënë mundësinë sulmuesit Ajazi të shënojë, 1-1.
Ndërkohë, në minutën e 77-të barazpesha vendoset edhe në numrin e lojtarëve në fushën e lojës, Telushi merr kartonin e dytë të verdhë. Kur mendohej se gjithçka do të mbyllej në barazim, vjen goli i fitores për rrogozhinasit. Pas një harkimi nga këndi, Pedro Augusto devijon me shumë fat, duke sigluar 2-1 për Egnatian. Ndërkaq, Skënderbeu e Vllaznia nuk shkuan dot më larg se një 0-0 në Korçë, barazimi i 3-të radhazi ky për të dy skuadrat në 4 javë kampionat.
Në ndeshjen ku të dy formacionet kërkonin të riktheheshin tek fitorja peshoi më tepër presioni për rezultatin, që u relektua në pasaktësinë para portës e në nervat e lëshuara në fund të pjesës së parë. Pa Da Silvën, Brdaric i besoi sulmin Aralicës, por ishin korçarët që kishin impaktin më të mirë me ndeshjen, por pa rezultat për asnjërën skuadër. Vllaznia ngjitet në 6 pikë e Skënderbeu me 3, por barazimi nuk është se u bën edhe aq shumë punë dy skuadrave.