AlbanianSport.com 05/03/2024 15:25
ASNN – Egnatia, bindshëm në gjysmëfinale, e mund Laçin edhe në ndeshjen e kthimit, fiton 3-1 në Rrogozhinë. Veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, ka luajtur të martën takimet e kthimit të dy çifteve të para të çerekfinaleve, duke njohur edhe dy gjysmëfinalisten e para. Kështu, pasdreke ka qenë Egnatia që ka siguruar e para biletën për në gjysmëfinalen e këtij edicioni të Kupës së Shqipërisë.
Pasi e kishin fituar ndeshjen e parë me një gol të vetëm në Laç, rrogozhinasit kanë fituar edhe ndeshjen e dytë në shtëpi përballë kurbinasve, kësaj radhe me shifrat 3-1. Djemtë e Edlir Tetovës kualifikohen kështu mes 4 më të mirave të kësaj veprimtarie dhe synojnë që të mbrojnë trofeun e fituar një vit më parë. Egnatia e mbyll pjesën e parë në epërsi të dyfishtë, pasi është Montenegro që zhbllokon sfidën në minutën e 19-të.
Aleksi shënon golin e dytë për vendasit nga pika e bardhë e 11-metërshit në minutën e 38-të. Rrogozhinasit shënojnë sërish në pjesën e dytë, teksa Montenegro shënon golin e dytë personal dhe të tretin për Egnatian në minutën e 50-të. Laçi mundohet të reagojë dhe ngushton shifrat me Myrtën, që realizon në minutën e 61-të. Kurbinasit kanë një mundësi të mirë për të rihapur takimin pak minuta më vonë, pasi fitojnë një 11-metërsh, por Sherri bën heroin dhe pret gjuajtjen e Kryeziut.
Pavarsisht përpjekjeve nga të dyja kampet, nuk ndryshon rezultati i sfidës në minutat e mbetura. Egnatia kualifikohet në gjysmëfinale, ndërsa për Laçin përfundon këtu aventura në Kupën e Shqipërisë. Debuton me humbje në krye të stolit kurbinas trajneri Armando Cungu, që zëvendësoi Mirel Josën e larguar, teksa diçka ndodhi më pak se 24 orë para ndeshjes së të martës.