AlbanianSport.com 09/11/2020 19:15
ASNN – Trajnerja e njohur sfidon presidentin aktual, Masllavica, për kreun e FSHP-së. Peshëngritja shqiptare po u drejtohet zgjedhjeve dhe dy janë kandidatët për postin e presidentit, teksa, në atë që përbën një risi në sportin shqiptar në përgjithësi, e për më tepër, në peshëngritjen shqiptare në veçanti, do të jetë një femër që do të sfidojë presidentin aktual. Theodhor Masllavica, i cili mori drejtimin e shtangës shqiptare në 2018-ën, pas dorëheqjes për shkak të numrit të madh dhe të bujshëm të sportistëve me doping të ish-presidentit Elez Gjoza, do të sfidohet nga trajnerja Eglantina Çuni.
Dhe, në një letër të hapur, të bërë publike në profilin e saj në rrjetin social “Facebook”, ajo ka shpalosur edhe thelbin e kandidimit të saj për këtë post. “Ndihem krenare që e kam marrë këtë vendim dhe sot, më shumë se asnjëherë tjetër, kuptoj sa shumë pasion dhe dëshirë ka brenda shpirtit të gjithë secilit prej jush duke e adhuruar sportin, – shkruan ajo në postimin e saj, që më tej vijon: “Unë ndihem e privilegjuar dhe krenare që jam pjesë e peshëngritjes si trajnere dhe ish-sportiste, por sot ndihem më e fortë se kurrë për të dhënë kontributin tim në postin e presidentes.
“Për të bërë më të mirën që, siç dhe vetë peshëngritja është me pesha të rënda, po ashtu dhe Shqipëria jonë e vogël të jetë një peshë e rëndë në arenën ndërkombëtare, – thekson çuni. Jam krenare dhe s’më vjen aspak turp që jam femra e parë që marr guximin të konkurroj për drejtimin e një federate si peshëngritja, që ndër vite është quajtur “sport burrëror”.”
“Unë jam femër dhe e dua sportin e peshëngritjes po aq sa çdokush tjetër që ka dhënë shpirtin dhe vitet e jetës për këtë sport të bukur, – thekson trajnerja që ka zbuluar talente të reja në peshëngritjen e femrave në Elbasan. – Jam trajnere dhe ish-sportiste dhe ajo qe di të bej më mirë është të bej marrëveshje vetëm për të vlerësuar djersën dhe mundin e çdo trajneri dhe sportisti.”
Në mbyllje të postimit të saj, kandidatja për presidente ka edhe një apel për Asamblenë e 14 nëntorit: “Të ngrihemi të gjithë bashkë në lartësinë e detyrës dhe për herë të parë t’i tregojmë të gjithëve që Peshëngritja di t’ia dalë të ecë përpara dhe do të jetë gjithmonëë një peshë e rëndë e sportit shqiptar”, – përfundon kandidatja për presidente të FSHP-së, Eglantina Çuni.