AlbanianSport.com 10/01/2020 23:00
ASNN – Të kuqtë e Sormanit ndëshkohen në pjesën e parë, por japin shenja të mira në të dytën. Të premten, Partizani ka patur provën e parë në tokën turke, aty ku edhe trajneri Sormani ka bërë prezantimin e parë në një ndeshje për 2020- ën si trajner i kryeqytetasve. Trabzonspori ka qenë kundërshtari i “demave” dhe miqësorja e luajtur pasdreke, është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport. Turqit e kanë fituar ndeshjen me një gol të vetëm.
Prej datës 5 janar, Partizani i ka zhvendosur përgatitjet në Turqi, aty ku të kuqtë, tanimë nën drejtimin e trajnerit Adolfo Sormani po përfitojnë nga klima e butë mesdhetare për të qenë sa më gati për gjysmën e dytë të sezonit. Dhe të premten, Partizani ka patur provën e parë në tokën turke, aty ku edhe trajneri Sormani ka bërë prezantimin e parë në një ndeshje për 2020- ën si trajner i kryeqytetasve.
Trabzonspori ka qenë kundërshtari i “demave” dhe miqësorja e luajtur pasdreke, është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport. Pjesa e parë ka nisur më mirë për miqtë, por Partizani ka patur një rast të mirë në minutën e 13-të, ku depërtimi dhe pasimi i zgjuar i Çinarit nuk shfrytëzohet siç duhet nga Brauni.
Pesë minuta më pas, Sorloth ka një mundësi të mirë për vendasit, por nuk arrijnë të shënojnë. Sidoqoftë, norvegjezi 24-vjeçar korrigjon shënjestrën në minutën e 22-të, kur mposht Bitrin dhe portierin Hoxha dhe shënon. Partizani mundohet të kundërpërgjigjet, por goditja e lirë, e ekzekutuar nga Telushi, është e gabuar, ndërsa gjysma e mbetur e pjesës së dytë do të shohë turqit të mbizotërojnë në lojë dhe të ndërtojnë e shpërdorojnë raste për shënim.
Kësisoj, pjesa e parë është mbyllur me epërsinë minimale të Trabzonsporit, ndërsa pjesa e dytë e ka parë Partizanin më agresiv dhe më kërkues në drejtim të portës kundërshtare, duke kërkuar edhe golin që do të rihapte ndeshjen. Rastet nuk kanë munguar, madje disa prej tyre kanë qenë të volitshme, por, herë për ngutje dhe paqartësi në finalizim, herë për mungesë fati, por kryesisht për meritë të portierit të skuadrës turke, 25-vjeçarit Erxhe Kardeshler, të kuqtë nuk kanë arritur ta gjejnë dot rrugën e rrjetës.
Mbyllet kështu me fitoren e Trabzonsporit kjo ndeshje, por trajneri italian i Partizanit, Sormani, do të ketë marrë padyshim sinjale të mira nga skuadra, sidomos në pjesën e dytë.