AlbanianSport.com 01/06/2018 19:00
ASNN – Ajo që ka rënë në sy gjatë stërvitjeve të Kombëtareve të femrave dhe meshkujve në volejboll, ka qenë mungesa e trajnerëve të ekipeve të kampionatit kombëtar për të ndjekur ndonjë seancë të ekipeve kuqezi, apo edhe vetë lojtaret që vijnë nga klubet e tyre.
Përkundër kësaj, i pranishëm në këto seanca stërvitore ka qenë trajneri i LPM Mondovisë, Davide Delmati, i cili ka ndjekur nga afër skuadrën kuqezi, por edhe volejbollisten shqiptare që ka milituar për dy sezone në skuadrën italiane, Erblira Bici. Në fakt, edhe vetë trajneri italian është ndjerë ngushtë, kur u pyet për këtë fenomen.
“Nuk di ç’të them, nuk di…, – është përgjigjur ai. – Mua më pëlqen të ndjek ekipet kombëtare në stërvitje dhe vjet kam ndjekur Rumaninë. Për mua, të jep mundësi të shohësh një kulturë tjetër, një volejboll tjetër, lojtare të tjera dhe kjo më duket një gjë pozitive, që sidoqoftë të ndihmon të rritesh.”
“Kjo vlen për veten, por edhe për të tjerët, prandaj mendoj se është gjëja e duhur për t’u bërë”, – ka përfunduar trajneri italian. Ndonëse në rastin aktual bëhet fjalë për volejbollin, një dukuri e tillë është vërejtur vjet edhe me Kombëtaren e koshit të meshkujve.
Aty ku madje Federata e Basketbollit e shqyrtoi si mundësi, por nuk vijoi ta vinte në zbatimin, kushtin që trajnerët e kampionateve nuk do të lejoheshin të pajiseshin me licencë pa sjellë një zbërthim të programit njëjavor stërvitor të Kombëtares. Megjithatë, është koha që mbi këtë çështje të reflektohet.