AlbanianSport.com 29.10.2016 07:55
ASNN – Doviciozo do të niset nga vendi i parë në garën e Malajzisë,e vlefshme për Botërorin e Motorëve. Provat zyrtare të zhvilluara të shtunën në pistën e Sepangut i kanë kushtëzuar shumë pritshmëritë e pilotëve, për shkak se ajo ka qenë e lagur nga reshjet e shiut. Kjo gjë që ka bërë që pilotët të jenë tepër të kujdesshëm. Provat zyrtare të Çmimit të Madh të Malajzisë u transmetuan drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, që do të sjellë të dielën edhe emocionet e garës.
Çmimi i Madh i Malajzisë, i vlefshëm për Botërorin e Motorëve, do të jetë shumë interesant të dielën. Kjo sepse provat zyrtare të zhvilluara të shtunën kanë patur të papritura. Pista e Sepangut nuk ua ka bërë të lehtë pilotëve zhvillimin e provave, në mënyrë që ata të jepnin kohët e tyre më të mira. Pista ishte e lagur dhe pilotët kanë qenë tepër të kujdesshëm gjatë drejtimit të motorëve të tyre.
Por më i guximshmi ka qenë Andrea Doviciozo, i cili, pas dy xhirove të shpejta arrin kohën më të shpejtë, duke siguruar kështu vendin e parë në nisjen e garës së të dielës. Një pozicion i mirë ky për “Dukati”-n, që ka lënë pas Valentino Rosin me “Jamaha”-n. Piloti italian nuk ka mundur ta arrijë kohën e shpejtë të vendosur nga bashkëatdhetari i tij.
Pas tij, nga vendi i 3-të do të niset Horhe Lorenco, po me “Jamaha”-n. Edhe pse spanjolli quhet piloti i shiut, nuk ka mundur të japë kohën e vet më të mirë, i kushtëzuar shumë nga pista që ishte e lagur. Doviciozo, Rosi dhe Lorenco do të jetë vija e parë e nisjes për garën e së dielës në Malajzi. Nga vendi i katërt do të niset Mark Markezi, kampioni i botës, i cili e ka fituar titullin disa gara më parë.