Endi Tufa (Top Channel) 20.08.2017 23:45
Trajneri i përfaqësueses shqiptare të basketbollit, Antonis Kostantinides, ka dhënë dorëheqjen menjëherë pas paraeliminatoreve të Botërorit 2019, me shumë brenga. Oferta për drejtimin e skuadrës kuqezi për të ishte një krenari dhe një ëndërr, por që ju ndërpre, sipas tij, nga vetë ata që ja ofruan. Në një intervistë ekskluzive për “Top Channel” përpara largimit nga Shqipëria, Kostantinides tregon hapur çfarë ndodhi me basketbollin shqiptar të rikthyer në pikën “0”.
“Ndeshja me Holandën ishte kulmi i problemeve të shumta që kishim si skuadër përfaqësuese e Shqipërisë, por gjithashtu tregoi edhe nivelin e basketbollit shqiptar në përgjithësi, – ka rrëfyer ai. – Sigurisht kjo nuk është një gjë të cilën e them për justifikim. Unë i thash edhe djemve dje të cilët së bashku me mua, pasi unë jam trajneri, bëmë një figurë të shëmtuar.”
“Duhet të na vijë turp të dalim në rrugë, – ka vijuar qiprioti. – Por ky vit i dytë ka qenë shumë i vështirë për mua. Na kanë refuzuar 6 lojtare dhe nuk e di përse, mund të them se shume probleme vijnë nga mungesa organizimit këtu. Më vjen keq t’ju them se në këto dy vite kam konstatuar faktin që ju nuk e doni këtë kombëtare të basketbollit. Problemet organizative më kanë detyruar të bëhem menaxher, doktori apo shoferi i taksisë pasi nuk kishim shef ekipi.”
“Por ky eliminim ka edhe një fitore brenda, ju mësoi të kuptoni ku jeni, krahasuar me të tjerët”, – shprehet Andonis Kostantinides, trajner i përfaqësuese shqiptare. Më pas, ai thekson faktin se prej kohësh federata e kishte braktisur. “Unë e falënderoj shumë Avni Ponarin, i cili më dha këtë mundësi, por ai nuk besoi tek mua asnjëherë, – ka këmbëngulur trajneri i kuqezinjve të koshit.”
“Gjithmonë ka patur këshilltar jo të mirë, – ka vijuar Konstantinidesi. – Që nga momenti që zgjedh një trajner investon para tek ai dhe bëhet fjalë për një trajner me eksperiencë, duhet t’i besosh atij 100%. Më vjen keq gjithsesi që po iki pa mundur t’i kthej gjë pas për investimin e kryer ndaj meje. Me stafin tim krijuam një plan për sportistët që luajnë jashtë.”
“Sipas tij ne duhet të udhëtonim dy-tre herë në Itali, Greqi apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të grumbulluar lojtarë, por asnjëherë nuk u realizua kjo gjë sepse mungonin financat, – ka shpjeguar trajneri. “Kosto, kosto, kosto”, na thonin se herë përmendej kjo gjë.” Ndërkohë krisja më e madhe me sa duket ka ardhur momentet e fundit, kur sëmundja e rëndë e bashkëshortes së trajnerit Kostandinidhis ka mbërritur në një pikë kritike.
“Mund të them se askush nga federata nuk ka ardhur të më shohë, flas apo takojë në këto 5-6 ditët e fundit, – ka zbuluar ai. – Për këtë arsye të thash edhe më parë, kjo verë ka qenë krejtësisht ndryshe dhe unë e kam ndjerë këtë. Le t’ju tregoj diçka që nuk ka lidhje me basketbollin, por dua të jem i sinqertë përpara shqiptarëve. Unë kam një problem të madh shëndetësor me bashkëshorten këtë vit.”
“Pasi përfunduam ndeshjen me Austrinë, i kërkova federatës që të mos vija për ndeshjen e fundit pasi situata familjare është kritike. Deri më sot, nuk më kanë kthyer ende një përgjigje as po as jo. Megjithatë unë zgjodha të vij dhe të respektoj kontratën duke bërë punën time sa më mirë të mundem. Në këto vite unë kam krijuar një emër të mirë në Evropë si trajner dhe për këtë kërkoj respekt”, – ka përfunduar Kostantinidesi.
Intervistën e plotë dhënë për gazetarin sportiv të “Top Channel”, Endi Tufa, AlbanianSport.com do t’jua sjellë në 3 pjesë përgjatë ditëve në vijim, duke nisur nga nesër.