AlbanianSport.com 04/02/2024 18:05
ASNN – E mund thellë, 4-0, dhe i afrohet 4-shes, shijakasit zhyten në betejën e mbijetesës. Dinamo korri një fitore të thellë të dielën pasdreke, në takimin tjetër të vlefshëm për javën e 22-të të Kategorisë Superiore, mposhtur Erzenin me rezultatin 4-0, me nga dy gola për secilën pjesë loje dhe shijakasit që zhyten në betejën e vështirë të mbijetesës. Skuadra e trajnerit Dritan Mehmeti korr fitoren e dytë radhazi dhe, për më tepër ngadhënjen me një goladë, duke iu afruar edhe objektivit të sigurimit të një vendi në 4-shen finale të këtij sezoni.
Dinamo ka siguruar një fitore bindëse në fushë të huaj ndaj Erzenit, që padyshim do të kthejë entuziazmin te blutë. Skuadra e Mehmetit e ka mbizotëruar sfidën ndaj shijakasve, teksa gjeti dy herë rrjetën në pjesën e parë, fillimisht me anë të Hoxhës, që realizoi në minutën e 32-të dhe, 6 minuta më pas, me anë të Kaçorrit, që e çoi kështu Dinamon në epërsi të dyfishtë në pushimin e ndeshjes. Shijakasit u munduan të reagonin në pjesën e dytë, por shpërdoruan disa mundësi të mira para portës kundërshtare.
Dhe, sikundër ndodh rëndom, kur ata ishin hedhur të tërë drejt sulmit, erdhi goli i Zabërgjës që mbylli çdo shpresë për përmbysje. Ndërsa në fund ishte Bardhi i cili vuri vulën fitores 4-0 që largon Dinamon nga zona e ftohtë e renditjes dhe e shtyn më afër asaj të “4-shes Finale”, teksa ka 28 pikë, 5 më pas se Tirana e vendit të 4-t, por që ka luajtur një ndeshje më tepër. Ndërsa Erzeni tashmë ndjen ngricën e zonës së ftohtë të renditjes dhe është zhytur plotësisht në betejën për mbijetesë.