AlbanianSport.com 10.03.2017 17:10
ASNN – Besëlidhja ka fituar 1-0 me Erzenin, në përfundim të 90 minutave të përfshira nga episode të diskutueshme, për shkak të disa vendime të gjyqtarit kryesor të takimit, Cjapi. Dibra ka shënuar për lezhjanët, por goli i tij është diskutuar gjatë nga futbollistët e Erzenit, të cilët kanë protestuar tek anësori, për pozicion jashtë loje. Kjo ndeshje u transmetua drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Kështu, faza e “play-off”-it në grupin A të Kategorisë së Parë ka nisur me fitoren minimale të Besëlidhjes ndaj Erzenit. Ndeshja e luajtur në Stadiumin Tofik Jashari” të Shijakut ka patur episodet e saj, për disa vendime të gjyqtarëve të takimit. Pjesa e parë e takimit nis me një rast për vendasit. Është Lleshi që gjuan me kokë në minutën e 6-të, por topi kalon paksa mbi shtyllën horizontale.
Më pas janë miqtë, që, në minutën e 17-të, rrezikojnë me një sulm të shpejtë, por, Ndreca, i vetëm përballë portierit të Erzenit nuk shënon, teksa gjuan jashtë. Të gjithë futbollistët vendas protestojnë tek anësori Ilir Tartari për pozicion jashtëloje të Ndrecës, por gjyqtari kryesor Cjapi vazhdon lojën. Me rezultatin 0-0 mbyllen 45 minutat e para. Pjesa e dytë nis me një sulm të lezhjanëve.
Në të 53-ën minutë, Kamara, i vetëm në zonë, gjuan, fillimisht topin e pengon portieri Hoxha. Gjuan sërish Kamara, por këtë radhë largojnë topin mbrojtësit. Minuta e 60-të dhe Lleshi, në një sulm të shpejtë, shtyhet nga Smajli brenda zonës, rrëzohet, por nuk ka 11-metërsh, pasi gjyqtari Cjapi vazhdon lojën. 6 minuta më vonë, sërish Lleshi gjuan por largon në vështirësi portieri.
Vjen minuta e 78-të dhe shënon Dibra, ndërsa Besëlidhja kalon kështu në epërsi. Sina kroson brenda zonës dhe Dibra e dërgon topin në rrjetë. Goli i rregullt për gjyqtarin kryesor, ndërsa të gjithë futbollistët shijakas protestojnë tek gjyqtari anësor për një pozicion të pretenduar jashtëloje. Kamara provon me një sulm të shpejtë, por pengohet brenda zonës dhe, me të drejtë, gjyqtari kryesor nuk jep 11 metërsh.
Në fund të takimit, të gjithë futbollistët e Erzenit shkojnë te gjyqtari anësor duke vazhduar të protestojnë për golin e Besëlidhjes.