AlbanianSport.com 30.10.2016 20:25
ASNN – Dhuna është rikthyer në shkallët e stadiumeve shqiptare dhe arena e radhës ka qenë “Elbasan Arena”, ku dueli i kreut midis Partizanit dhe Skënderbeut është ndërprerë për afro një çerekore lojë. Ndonëse disa tifozë kanë kërkuar ndihmën e mjekëve pas përplasjeve midis tyre dhe forcave të rendit, takimi ka vijuar normalisht, për t’u mbyllur me rrjeta të paprekura.
Ndeshja midis Partizanit dhe Skënderbeut, e vlefshme për javën e 9-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit është ndërprerë për afro 15 minuta për shkak të trazirave në shkallët e Stadiumit “Elbasan Arena”. Ka qenë një episod në fushën e blertë që ka çuar në irritimin e tifozëve të Partizanit. Tifozët e ardhur nga kryeqyteti janë acaruar dhe kanë tentuar të sulmojnë forcat e rendit.
Këto të fundit kanë reaguar, në disa raste përtej kompetencave të tyre, për ta marrë situatën nën kontroll. Nga ky konfrontim i tifozëve me policinë kanë mbetur të lënduar disa tifozë të Partizanit, për të cilët është ofruar ndihma e ambulancës dhe e mjekëve të të dyja skuadrave. Megjithatë, pas qetësimit të situatës, ndeshja ka rifilluar, për t’u mbyllur me rrjeta të paprekura.