AlbanianSport.com 24.08.2016 15:35
ASNN – Lojërat e 31-ta Olimpike kanë përfunduar, por jo misioni olimpik, stafeta e të cilit i ka kaluar tanimë kryeqytetit të Japonisë, Tokios. Pas Rio de Zhaneiros në Brazilit, Olimpiada ndryshon diametralisht destinacion, duke u zhvendosur nga Amerika e Jugut drejt Azisë, ndërsa shënon një kthim pas plot 50 vjetësh në kryeqytetin japonez. Stafeta ka ndërruar duar tanimë dhe flamuri olimpik, që iu dorëzua gjatë ceremonisë së mbylljes së Lojërave të 31-ta nga Kryebashkiaku i Rios homologes së tij, Guvernatores së Tokios, ka mbërritur më në fund në Japoni.
Në një ceremoni të organizuar në aeroportin Haneda të kryeqytetit, Guvernatorja e Tokios, Juriko Koike, shprehu kënaqësinë që e kthen flamurin olimpik në Japoni pas plot gjysmë shekulli, por e pranoi se, në të njëjtën kohë, ndjen një përgjegjësi të madhe. Tokio i organizoi për herë të fundit Lojërat Olimpike Verore më 1964-ën, duke shënuar kthimin e saj si superfuqi ekonomike botërore e pas-Luftës. E drejta e organizmit të Olimpiadës së 2020-ës iu dha Tokios më 2013-pn, me shpresën se ajo do të jetë simbol i funksionimit të përsosur në një qytet që mburret si “paqësor, i besueshëm dhe i qëndrueshëm”.
Sistemi i metrosë së Tokios është më i madhi në botë, me 35 milionë njerëz që e përdorin çdo ditë, por rrugët janë të sigurta, edhe falë një kontrolli të rreptë të armëve, trenat mbërrijnë në kohë, ajri është i pastër dhe njerëzit miqësorë. Ky është një kontrast i madh me Olimpiadën në Brazil, ku siguria ishte problem i vazhdueshëm, shumica e mjediseve ishin të papërfunduara ende në kohën e duhur dhe Lojërat u shoqëruan edhe me protesta mbi koston e tyre marramendëse.