AlbanianSport.com 05/03/2024 21:45
ASNN – Kukësi shtang Partizanin në kryeqytet. Fiton 1-0 në ndeshjen e kthimit dhe triumfon nga pika e bardhë. Ishte cilësuar si një përballje e njëjtë me atë Davidit me Goliasin, por ashtu siç ndodhi në mitologji, Kukësi ka dhuruar të papriturën më të madhe të këtij turi në Kupën e Shqipërisë, teksa ka eliminuar Partizanin në çerekfinale, edhe pse kishte humbur ndeshjen e parë në fushën e vet.
Ndonëse mban vendin e fundit të renditjes dhe vetëm matematika e mban ende gjallë sa i përket shpresave për të mbijetuar në Kategorinë Superiore, skuadra e drejtuar nga trajneri Bledar Devolli ka luajtur si e barabartë, duke e besuar deri në fund. Pakkush kishte llogaritur verilindorët si pretendentë për kualifikimin pas humbjes në ndeshjen e parë me shifrat 1-0.
Por ata ia dolën të godasin me një gol të shkëlqyer në kryeqytet dhe pastaj u mbrojtën me rregull duke bërë që ndeshja të shkonte me shtesa dhe më pas me 11-metërsh. Golin e vetëm të sfidës u shënua në minutën e 21-të nga Hasaj, i cili finalizoi mjeshtërisht. Me epërsinë minimale të Kukësit u mbyllën 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat nuk prodhuan gol tjetër.
Ashtu sikundër ndodhi edhe me dy pjesët shtesë nga 15 minuta secila, kështu që skuadrat iu drejtuan goditjeve të 11-metërshve. Aty peshoi goditja e gabuar e Partizanit me Atanaskoskin, i cili u neutralizua nga Tafasi, ndërsa lojtarët e Kukësit i realizuan të 5 tentativat e tyre, duke siguruar kështu biletën për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë.