AlbanianSport.com 10/08/2018 14:20
ASNN – Zllatko Daliçi do të vazhdojë të jetë trajneri i përfaqësueses së nënkampionëve në fuqi të botës, Kroacisë. Kontrata e re pritet të zyrtarizohet më 20 gusht 2018, kur të mblidhet Komiteti Ekzekutiv i Federatës Kroate të Futbollit. Trajneri Zlatko Daliç bëri një punë të shkëlqyer në Botëror me skuadrën e Kroacisë duke e dërguar deri në finalen e “Rusi 2018”.
Dhe sikundër ndodh në këto raste, ishin të shumtë ata që e përkrahën trajnerin, por po kaq të shumtë ishin edhe ata që e hodhën poshtë punën e tij, vetëm sepse ai humbi në finale, duke u mundur me shifrat 2-4 përballë Francës. Për këtë arsye, në mediat vendase u fol dhe u shkrua për një largim të mundshëm të trajnerit tashmë nënkampion të botës.
Megjithatë, duket se takimi me kreun e Federatës së Futbollit të Kroacisë ka bërë që gjithçka të kthehet në kahun pozitiv, sepse, sipas burimeve zyrtare, palët kanë rënë dakord dhe Daliçi do të vazhdojë të jetë trajneri i përfaqësueses së nënkampionëve në fuqi të botës. Kontrata e re pritet të zyrtarizohet më 20 gusht 2018, kur të mblidhet Komiteti Ekzekutiv i Federatës.
“Ishte e rëndësishme të flisja hapur me presidentin për të gjitha temat, – ka deklaruar ish-trajneri i Dianmos së Tiranës në 10-vjeçarin e parë të këtij shekulli, duke folur për mediat kroate. “E falënderoj presidentin Davor Shuker që i ka kuptuar ato që nuk i kam konsideruar korrekte. Mendoj se i kemi zgjidhur të gjitha këto çështje dhe shoh përpara për sfida të reja”, – përfundoi trajneri i Kroacisë, Zlatko Daliç.