AlbanianSport.com 17/01/2020 20:45
ASNN – Edhe dy etapa kanë mbetur nga edicioni i këtij viti, që po zhvillohet në Arabinë Saudite. Dy herë kampioni i botës në Relli, Karlos Sainz, ka siguruar të premten triumfin e tij në Rellin e Dakarit, në edicionin që u mbajt këtë vit për herë të parë në Arabinë Saudite. Sainzi, babai i pilotit të “MekLaren”-it në Formula 1, Karlos Sainz Xhunjorit, e mbylli me një epërsi prej 6 minutash kundrejt Naser Al-Atijas, pas 12 garave të këtij edicioni.
Duke garuar këtë vit me skuadrën e “Mini Cooper”, Sainzi e ka fituar Dakarin me 3 marka të ndryshme makinash, pasi pati triumfuar më parë me “Volkswagen”-in në 2010-ën dhe “Peugeot”-in në 2018-ën. Pasi kishte korrur fitore në 4 etapa të kësaj maratone sfilitëse, Sainzi dhe bashkë-piloti i tij, Lukas Kruz, e nisën ditën e fundit të kësaj veprimtarie nëpër dunat e shkretëtirës arabe me një epërsi prej 10-minutash kundrejt Al-Atijas dhe Stefan Peterhanselit.
Dhe kjo epërsi nuk u kërcënua asnjëherë, sepse spanjolli 57-vjeçar e ruajti ritmin gjatë etapës së shkurtuar prej 104-miljesh, duke humbur vetëm 4 minuta kundrejt pilotit nga Katari, Al-Atija. Ndonëse nuk arriti ta fitonte këtë edicion, ky i fundit siguroi për herë të 6-të në 7 edicionet e fundit podiumin, këtë radhë në shkallën e dytë, duke lënë një shkallë më poshtë Peterhanselin, i cili e ka fituar këtë garë 13 herë, 7 me makinë e 6 me motorë.
Ndërsa ish-kampioni i dyfishtë në Formula 1, Fernando Alonso, e mbylli debutimin e tij në Rellin e Dakarit në vendin e 13-të.
Klikoni videon e mëposhtme për kronikën e plotë: