AlbanianSport.com 16/04/2020 22:35
ASNN – Gjendja për shkak të koronavirusit çon vendimin drastik të FSHÇ-së për veprimtarinë më madhore të saj. Epidemia e koronavirusit vazhdon të shkaktojë pështjellim në kalendarin sportiv, si atë ndërkombëtar, ashtu edhe në atë kombëtar. Dhe veprimtaria më e fundit që bie viktimë e kësaj epidemie është Rrethi Çiklistik i Shqipërisë. Gara e 3-të më e vjetër çiklistike në Evropë, pas Turit të Francës dhe Xhiros së Italisë, duhet të zhvillonte në javën e 3-t të majit edicionin e tij të 77-të.
Ky edicion duhet të ishte edhe i 4-ti radhazi që ishte pjesë e kalendarit ndërkombëtar të këtij sporti, por tanimë është anuluar krejtësisht. Në fakt, vetë çiklizmi evropian i ka shtyrë të gjitha veprimtaritë e veta për gjysmën e parë të 2020-ës, me Turin e Francës që është zhvendosur ditët e fundit nga qershor në shtator. Kjo ngjeshje e kalendarit ndërkombëtar, por edhe kufizimet në udhëtimet ndërkombëtare kanë bërë që Federata Shqiptare e Çiklizmit të marrë vendimin drastik.
Në fakt, përgjatë 3 sezoneve të deritanishme në kalendarin ndërkombëtar, shumica dërrmuese e sportistëve dhe skuadrave që kanë marrë pjesë në këtë Rreth Çiklistik kanë qenë të huaja, kryesisht italiane dhe nga vende të tjera të kontinentit. Por situata me epideminë e koronavirusit anembanë Evropës nënkupton se ishte e pamundur për këta sportistë dhe skuadra që të vinin në Shqipëri për të marrë pjesë, e për më tepër në një garë sportive që është një sfidë e madhe logjistike.
Vendimin për anulimin e Rrethit Çiklistik të Shqipërisë e kanë konfirmuar për RTSH Sport burime zyrtare pranë organizmit që qeveris sportin e dyrrotakëve në vend. Këto burime kanë sqaruar se ekziston mundësia që në vjeshtë, në varësi të rrethanave dhe kushteve, mund të organizohet një version kombëtar i këtij Rrethi, pra me çiklistë vetëm nga Shqipëra. Por edhe kjo mbetet në kuadrin e hipotezës.
Duhet kujtuar këtu që kjo është hera e parë, që nga viti i mbrapshtë 1997 dhe e dyta që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, që ky Rreth nuk organizohet.