AlbanianSport.com 19/04/2020 22:20
ASNN – Si rrallëkund nëpër kontinentin evropian, Ylber Sefa ka luksin të shijojë “lirinë”, duke sfiduar edhe “Covid-19”-ën. Kjo sepse ai mund të stërvitet çdo ditë. Çiklizmi në Belgjike, aty ku ai jeton, nuk është i ndaluar.
29-vjeçari është pjesë e skuadrës belge “Tarteletto-Isorex” dhe bën çdo ditë kilometra të tëra për të ruajtur formën fizike. Por, edhe atje, disa rregulla kane ndryshuar, rregulla që sportisti kuqezi natyrisht i respekton.
“Nuk lejohet të stërvitemi më shumë se 2 veta bashkë, pasi kështu janë masat në Belgjikë”, – ka thënë ai, duke folur për “TV Klan”. Natyrisht, ai nuk e fsheh se i mungojnë garat, teksa synimet i ka të larta, sepse ndjehet në formë.
Ylber Sefa synon të mbrojë titullin ballkanik të fituar tetorin e kaluar në Bosnjë-Hercegovinë, por, mbi të gjitha, ai synon të kualifikohet me normë dhe të garojë në Olimpiadën e Tokios vitin e ardhshëm.
“Lojërat Olimpike u shtynë për vitin e ardhshëm synoj të jem atje dhe kjo më jep kohë të përgatitem më shumë”, – ka thënë ai për median në fjalë. Në fakt, Sefa kishte synuar të merrte pjesë me skuadrën e tij edhe në Rrethin Çiklistik të Shqipërisë.
Por edicioni i këtij viti, që do të ishte i 77-ti në histori dhe i 4-ti radhazi si pjesë e kalendarit ndërkombëtar, është anuluar. Ylber Sefa është pjesë e çiklizmit profesionist që prej vitit 2018, ku firmosi kontratën e parë me një skuadër belge.