AlbanianSport.com 30/04/2020 21:40
ASNN – Ministrja franceze pohon mundësinë e nisjes në fund të gushtit përkundër masave shtrënguese. Gara më e vjetër dhe më e madhe e çiklizmit në botë, “Turi i Francës”, do të mund të mbahet, përkundër masave të reja kufizuese të vendosura nga qeveria franceze ndaj grumbullimeve në masë. Pak javë më parë, edicioni i 107-të i “Turit të Francës” është shtyrë për dy muaj, dhe është parashikuar të nisë më 29 gusht 2020.
Por, qeveria franceze ka njoftuar se nuk do të ketë grumbullime në masë deri në shtator, çka nënkupton se një nga aspektet më të prekura është sporti. “Turi i Francës nuk është vënë në diskutim”, – ka deklaruar Ministrja e Sportit e Francës, Roksana Marasinonu, duke folur për rrjetin prestigjioz, BBC. “Nuk do të ketë grumbullime në masë para shtatorit, por me “Turin e Francës”, që do të nisë më 29 gusht, mund të ketë përshtatje. Mbetet tek organizatorët të bëjnë sugjerime”, – ka shtuar ajo.
Deri më tani, nuk ka një koment nga organizatorët e garës lidhur me këtë koment të Ministres franceze. Ndërkohë, gara tjetër e madhe e çiklizmit “Vuelta” e Spanjës, ka njoftuar se do të anulojë nisjen nga Holanda, që është parashikuar për më 14 gusht 2020. Gara spanjolle do të niste në Utreht, por kjo etapë e garës 3-javore, do të anulohet, ndërsa vetë “Vuelta” e këtij sezoni do të ketë 19 etapa, 3 më pak sesa ishte planifikuar fillimisht.
Organizmi që qeveris çiklizmin botëror (UCI), pritej të bënte të ditur të mërkurën kalendarin e rishikuar të garave të rrugës për meshkuj dhe femra, por e ka shtyrë datën e shpalljes për më 5 maj. Klikoni videon e mëposhtme për kronikën e plotë: