ASNN – Vllaznia dhe Apolonia kanë spikatur në ditën e dytë të Kupës “Brahim Syka” në çiklizëm, që ka ulur siparin sot në Shkodër. Bruno Kola dhe Altin Sufa, kanë mbërritur të parët në finishin e dy kategorive të garës, përkatësisht tek Paratërinjtë/Të Rinjtë dhe tek Nën-23-vjeçarët/Elita. Kështu, me zhvillimin e dy etapave, Shkodër-Gomsiqe dhe kthim, 64 km e gjatë, për kategorinë e paratërinjve/të rinjve dhe Shkodër-Pukë e kthim, 92 km e gjatë, për kategorinë e Nën-23-vjeçarëve/Elitës, është mbyllur Kupa “Brahim Syka” në çiklizëm.
Ashtu si edhe në ditën e parë, edhe në ditën e dytë për konkurrimin e paratërinjve/të rinjve, në pedalimin Shkodër-Gomsiqe dhe kthim, kanë spikatur çiklistët e Vllaznisë të drejtuar nga trajneri Leonard Kola. I pari në finish ka mbëritur Bruno Kola, me kohën 1 orë dhe 40 minuta. Me një sekondë më shumë, i dyti është renditur Arjan Alija i Teutës, dhe, me dy sekonda më shumë, Edison Cani i Vllaznisë. Ndërsa në garën e kategorisë së Nën-vjeçarëve/Elitës, atë Shkodër-Pukë e kthim, 82 km e gjatë, fitues është shpallur Altin Sufa i Apolonisë me kohen 2 orë, 13 min dhe 94 sekonda, i ndjekur me një sekondë më shumë nga kolegu i skuadrës së tij Marolino Hoxha, ndërsa në vend të tretë u rendit Olsian Veliaj i Tiranës me kohen 2 orë, 16 minuta dhe 45 sekonda. Në përfundim të veprimtaritë, organizatorët zhvilluan ceremoninë e mbylljes ku u ndanë diplomat dhe kupat përkatëse. Pjesë e kësaj ceremonie ishte edhe dorëzimi nga ana e presidentit të Federates Shqiptare të Ciklizmit, Skender Anxhaku, të titullit Mirënjohje për protogonistin që mban emrin e kësaj kupe, Brahim Syka.