AlbanianSport.com 24/02/2024 21:55
ASNN – Kursi për licencën e trajnerit UEFA PRO që është niveli më i lartë për një trajner futbolli ka nisur prej disa muajsh dhe në të marrin pjesë edhe emra të njohur të botës së futbollit. I gjithë kursi zhvillohet në mjediset e “Shtëpisë së Futbollit” në kryeqytet dhe udhëhiqet nga specialistët e Sektorit të Edukimit në FSHF.
Pjesëmarrës në këtë edicion të kursit janë edhe ish-futbollistë që kanë dhënë kontributin e tyre me Kombëtaren kuqezi si Ledian Memushaj, apo ish-lojtarë që kanë luajtur në kampionatin shqiptar si Emiliano Çela. Pjesë e kursit UEFA PRO, Emiliano Çela, i cili e ka nisur karrierën e tij në botën e trajningut.
Në Shqipëri ai ka drejtuar Kastriotin, Flamurtarin dhe Kukësin. Në një prononcim për faqen zyrtare në Internet të FSHF-së, ai shprehu vlerësimin e tij për ecurinë e kursit dhe rëndësinë që ka për vazhdimësinë e karrierës, teksa falenderoi FSHF që mundëson zhvillimin e kursit UEFA PRO në vendin tonë.
“Kursi po shkon shumë mirë, kemi rreth 5 muaj që po aktivizohemi, – ka thënë ai fillimisht. – Është sipas metodologjisë më të fundit të UEFA-s, është mënyra interaktive, të gjithë marrin pjesë. Po vëmë re që është shumë efektive, do na vlejë shumë dhe është një mundësi shumë e mirë për ne.”
“Ne e dimë shumë mirë që është standarti më i lartë i trajningut, ka ardhur dhe në Shqipëri falë FSHF-së që e falenderojmë sepse të gjithë ne kemi mundësinë që të zhvillohemi dhe të mësojmë sa më shumë rreth punës që ne bëjmë”, – përfundoi Emiliano Çela.