AlbanianSport.com 03/06/2018 15:10
ASNN – Trajneri i Anglisë, Gareth Sauthgejt këmbëngul se Rahim Stërling nuk meriton të jetë i dënuar pas polemikave që kanë plasur për shkak të tatuazhit të tij. Sulmuesi 23-vjeçar i Mançester Sitit, ka postuar një fotografi të vetën ku vërehet se ka vizatur një pushkë në pulpën e këmbës së djathtë.
Futbollisti sqaroi se këtë tatuazh e ka bërë në kujtim të premtimit që ka bërë se nuk do të prekte kurrë armë, pasi i ati u qëllua për vdekje në Xhamajkë, vendin e tij të lindjes, kur ai ishte vetëm 2 vjeç. Trajneri i kombëtar angleze u shpreh se Stërlingu ka mbështetjen e tij dhe të shokëve të skuadrës dhe pret që futbollisti të japë më të mirën në Botëror.
“Ai e di se ka mbështetjen tonë dhe Stërlingu e kupton se disa njerëz kanë mendime të ndryshme për tatuazhin, por sipas mendimit tim, një tatuazh është si çdo vepër arti”, – u tha Sauthgejti gazetarëve të pranishëm në hotelin ku është e grumbulluar përfaqësuesja e Anglisë.
“Është një vendim shumë individual e gjithçka lidhet me vetë personin, – vijoi ai. – Ajo që është e qartë për mua, vetë Stërling dhe gjithë futbollistët e tjerë të skuadrës, është se ai nuk ka dashur aspak të promovojë përdorimin e armëve.” Pas një sezoni të shkëlqyer me kampionët e Premier Ligës, Mançester Sitin, Stërlingu ka të ngjarë të jetë një nga futbollistët kryesorë të Anglisë në Botërorin e këtij viti në Rusi.
Në Grupin G, skuadra e Sauthgejtit do të përballet me Belgjikën, Tunizinë dhe Panamanë.