AlbanianSport.com 03/06/2018 09:40
ASNN – Uruguaji do të luajë me zemër në Botërorin e Rusisë. Kështu është shprehur Fernando Muslera, ndërsa ekipi po stërvitej. “Nuk është iluzion qëllimi ynë, – ka thënë portieri i amerikanolatinëve. – Shkojmë në Botëror për të arritur në finale, ndërsa kalimi i grupit nuk diskutohet. E këtë duam ta arrijmë sepse do të luajmë me zemër, do të japim gjithçka për të realizuar synimin.”
Ndërsa shoku i tij i skuadrës, Naitan Nandez, tha se “ne jemi përgatitur shumë pse jo edhe për të fituar titullin e më të mirëve në botë”. Muslera, i cili luan në kampionatin turk, pësoi një dëmtim të lehtë të premten gjatë stërvitjes, e cila u krye në kompleksin “Seleste”, 35 km larg Montevideos, nën reshjet e dendura të shiut. Dëmtimi i Muslerës ngjalli shqetësim në stafin teknik.
Por duket se mjekët kanë bërë një punë të mrekullueshme sepse futbollisti është në shërim e sipër. Trajneri Oskar Tabarez po vazhdon stërvitjen me 26 futbollistët që ka në dispozicion e deri të hënën duhet të dorëzojë listën me 23 të tillë, të cilët do të luajnë në Botërorin 2018. Uruguai do të përballet në grupin A me Egjiptin, Arabinë Saudite dhe vendin organizator, Rusinë.